Maratona rikthehet me 13 tetor, Veliaj do të garojë për familjet e prekura nga tërmeti

Maratona rikthehet me 13 tetor, Veliaj do të garojë për familjet

13 tetori do të sjellë në kryeqytet edicionin e katërt të Gjysmë-Maratonës, e kthyer tashmë në një traditë të përvitshme sportive.

Në garë u regjistrua edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili deklaroi se pjesëmarrjen ja kushton ndërgjegjësimit të qytetarëve për të prekurit nga tërmeti.

Veliaj: Sapo u regjistrova për të vrapuar në maratonën e Tiranës në 13 tetor. Kam një lajm të mirë për të gjithë ata që, si puna ime, e kanë lënë për minutën e fundit: regjistrimet i kemi shtyrë deri në 6 tetor, ndaj dua t’i ftoj të gjithë ata qytetarë, të apasionuar pas sportit apo atletë, të shfrytëzojnë kohën deri në 6 tetor.Unë kam zgjedhur një kauzë, do të vrapoj në maratonë për të ndihmuar rindërtimin e të gjitha shtëpive të prekura nga tërmeti.

Pjesë e maratonës nuk do jenë vetëm të rinjtë dhe ata që merren me sport, por edhe të moshuar që kanë vendosur të sfidojnë vitet e jetës dhe të provojnë veten në këtë garë. Regjistrimi i kësaj kategorie është pa asnjë kosto.

Veliaj: Për të gjithë të moshuarit maratona e Tiranës është pa kosto. Ne kemi të moshuar mbi 65 vjeç, 83-84 vjeç, me shpresë do kemi edhe 100 vjeç, pasi ai që është i ri në shpirt nuk matet me kalendar, por me atë që ndien dhe takatin që ka për të jetuar një jetë të shëndetshme në Tiranën tonë.Kemi nga 35 shtete pjesëmarrës, nga Australia deri në SHBA. Praktikisht kemi nga çdo kontinent dhe besoj se edhe gara këtë herë do jetë e fortë. 1000 prej garuesve janë profesionistë, ndaj përveç atyre që do vrapojnë për qejf dhe për atë që quhet fun-run nga shkollat tona.

Gjysmë-Maratonës në Tiranë nuk mund ti mungonte as këtë vit 83-vjeçari, Nexhat Xhemalçe, një garues i përhershëm i garave të tilla në shumë vende të botës.

Xhemalçe: Kam gati 30 vjet që frenkuentoj këtë aktivitet sportiv. Gjatë këtyre 30 viteve kam një gamë të madhe aktivitetesh qofshin këto rang kombëtar dhe atij ndërkombëtar.

Të gjithë studentët që kanë një kartë studenti do të përfitojnë ulje në kuotën e regjistrimit.

Itinerari është një risi për këtë vit pasi garuesit do të kalojnë në zonat më të bukura të kryeqytetit për të promovuar kështu Tiranën.

Veliaj: Maratona është një mundësi ideale për turizëm, për të treguar imazhin e qytetit, është një kartolinë për Shqipërinë.

EMISIONET