Majko kritik ndaj Metës: “Bombat” tua po habisin të huajt, lër LSI në fatin e vet
Pas Kryeministrit, edhe deputeti socialist Pandeli Majko ka dalë me një qëndrim sa i takon përfshirjes në fushatën zgjedhore të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta.
Në një postim në fb me titull “Shënim për Presidentin.. Meta”, Majko thotë se është i shqetësuar rreth akuzave dhe paralajmërimeve destabilizuese të artikuluara nga Meta, që sipas tij po habisin dhe të huajt.
Ai thotë se Presidenti i zgjedhur duhet ti lërë mënjanë “bombat” për mosdekretim qeverish dhe armatosjen e popullit…
Majko i sugjeron Metës të lërë LSI në fatin e vet politik dhe të përgatitet për “kujdestarinë” e Shqipërisë.
Lexo më shumë
Meta nga Lezha: Nëse s’lidhen zagarët, do ta armatos unë popullin
Shpërthen Meta: Policia që nxiti drogën ka marrë detyrë cënimin e zgjedhjeve
Meta: Nuk ka shans Rilindja të shkarkojë Presidentin Ilir Meta
Postimi i plotëi Majkos në fb
Thellësisht i shqetësuar për deklarimet dhe protagonizmin e njëanshëm të presidentit të zgjedhur, Ilir Meta. Akuzat dhe paralajmërimet destabilizuese që ai po hedh këto ditë nuk i shërbejnë Shqipërisë. Ato habisin të huajt, fyejnë vendin dhe degradojnë marrëdhëniet politike.
Si politikan i vjetër, ai duhet tja lërë pasionin e garës politike kolegëve që e zëvendësuan në Partinë e tij. Presidenti i zgjedhur, nuk i takon më pjesës por të tërës.
Akuzat apo paralajmërimet nga podiume partiake janë të papërshtashme në rastin më të mirë. Presidenti i zgjedhur duhet ti lërë mënjanë “bombat” për mosdekretim qeverish dhe armatosjen e popullit…
Si rregull, Presidenti shprehet për ato që ndodhin dhe jo për të kundërtën. Ai nuk është as gjykatës dhe as gjykatë. Qëndrimet e tij nuk janë gjykime emocionale por detyrime kushtetuese.
Kritikat e një presidenti të sapozgjedhur për kryeministrin e vendit të tij nuk lexohen së pari në mediat fqinje. Punët e shqiptarëve zgjidhen në shtëpinë e tyre ku Presidenti i Republikës është një figurë qëndrore. Ai përfaqëson unitetin kombëtar dhe jo marrëdhëniet me fqinjët.
Ajo që nisi si tur falenderimesh nga zoti Meta nuk ka pse kthehet në tur fyerjesh për ata që e zgjodhën. Presidenti i zgjedhur duhet të lërë LSI në fatin e vet politik dhe të përgatitet për “kujdestarinë” e Shqipërisë.
Uroj reflektimin të presidentit të zgjedhur. Gjakftohtësia është cilësi që nuk është e shkruajtur në Kushtetutë. Kjo nuk justifikon të kundërtën.
/Oranews.tv/
