Kush janë 5 të shumëkërkuarit nga policia?
Policia e shtetit publikoi fotot dhe emrat e pesë personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare që do të bëhen objekt i punës së njësisë speciale të kërkimit ENFAST. Ata janë të dënuar me burgim të përjetshëm për vepra penale të rënda. Për gjetjen e tyre policia thotë se ENFAST do bashkëpunojë me agjencitë homologe. Publikimi i listës solli edhe reagimin e ish policit të antidrogës Dritan Zagani i cili thotë se kolegët e kanë vendosur të tretin në listën e më të kërkuarve në Vlorë.
Policia e Shtetit publikoi listën me pesë personat e parë mes 50 më të kërkuarve të cilët do të bëhen objekt i punës së njësisë speciale të kërkimit ENFAST. Pesë të parët në këtë listë janë Dritan Syziu, Altin Arapi, Gëzim Memeti, Gentian Tako dhe Eduard Kurti.
Pesë këta persona janë dënuar me burg përjetë për vepra të rënda penale të vrasjes. Altin Arapi, anëtar i grupit “Hakmarrja për Drejtësi” është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Genci Sinës, shoferit të ish prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku, ngjarja e regjistruar në 30 Shtator 2003.
I dyti në listën e më të kërkuarve është Dritan Syziu, i cili ishte pjesë e bandës së Mirditës. Ai bashkë me disa persona të tjerë qëlluan për vdekje një punonjës policie si dhe plagosën tre të tjerë. Ngjarja për të cilën Zyziu u dënua me burgim të përjetshëm ka ndodhur në Mirditë, ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë Gjon Paçuku.
Mes të kërkuarve nga drejtësia është edhe Eduart Kurti, i cili në 2012 vrau dy vëllezërit Iglend dhe Sokol Haxhiali. Ngjarja u regjistrua për një shumë 200 mijë dollarë, të cilët Kurti dyshohet t’ua ketë dhënë vëllezërve. I dënuar me burgim të përjetshëm është dhe Gentian Tako, i cili akuzohet për vrasje me dashje të regjistruar në Tiranë.
I pesti të cilit i është publikuar fotoja është Gëzim Mehmeti. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për plagosje dhe vrasje të regjistruar në vitin 1996. Policia deklaron se njësia e kërkimit ENFAST do bashkëpunojë me strukturat homologe për kapjen tyre, ndërsa deklaron se çdo ditë do publikojë fotot e 5 personave më të rrezikshëm.
Publikimi i listës ka sjellë edhe reagimin e ish-policit Dritan Zagani. Edhe pse emri dhe fotoja e tij nuk janë mes atyre që janë publikuar nga policia, Zagani thotë se i kanë bërë një nder të madh duke e vënë të tretin në listën e më të kërkuarve të qarkut Vlorë.
