Kryemadhi pas takimit: Palmer nuk ka ardhur për të zgjidhur krizën, ajo duhet të zgjidhet mes nesh
Përfundon takimi i zyrtarit të Lartë të DASH, Mathew Palmer me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Burime për RTV Ora bëjnë me dije se menjëherë pas takimit, Kryemadhi deklaroi se Palmer shprehu opsionet e veta për krizën politike.
Kryemadhi: Diskutuam për situatën dhe sigurisht që unë nuk jam e autorizuar që të flas për takimin. Z. Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona.
Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për ti dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE.
E pyetur nëse Palmer dha një zgjidhje për situatën politike, Kryemadhi tha se Palmer nuk ka ardhur në Shqipëri për të zgjidhur krizën, sepse atë e zgjidhin vetë palët politike.
Kryemadhi: Z. Palmer nuk kishte ardhur për ti dhënë zgjidhje për sa i përket konfliktit. Mos harroni që hallet tona do ti zgjidhim ne shqiptarët vetëm me njëri-tjetrin. Sigurisht që mendoj që viktimat e gjithë kësaj historie, janë shqiptarët nuk është Kryeministri.





