Kastro Zizo reagon për Këngën Magjike: Unë kam dalë aty që 14 vjeç, kur këta zorraxhinjtë...
Këtë vit, festivali Kënga Magjike festoi 20-vjetorin e themelimit ku triumfin për këngën më të mirë, të përzgjedhur nga vetë artistët e mori Flori Mumajesi me këngën "Plas". Jo të gjithë ishin dakord me fitoren e tij, përfshirë edhe ata që nuk ishin në finale.
Një prej tyre është këngëtari Kastro Zizo, i cili reagoi ashpër nëpërmjet rrjeteve sociale duke thënë se kënga e tij, e titulluar "Sonatat e gjumit" duhet të arrinte deri në finale. Në intervistën e tij të Vitit të Ri për "Mos i fol babagjyshit" në Ora News, ka rrëfyer disa gjëra që nuk i kishte thënë asnjëherë për festivalin e këtij viti.
Kastro Zizo: Shqipëria nuk është ende gati për muzikë të mirë. Mua më vjen keq sepse ai bëri 20 vjet si një ndër festivalet më të mirë, qoftë edhe të paktat që ka mbetur në këtë vend. Është kthyer në një festival me bazë dhe orientim të theksuar oriental. Unë nuk kam asgjë kundër Turkmenistanit. Unë nuk kam asnjë kundërshtim ndaj tallavasë, por të bëhet në një kompeticion tjetër. Pallati i Kongreseve është shumë i shenjtë për të bërë turkmenistanizma, nuk është gati. Nuk e patën qejf atë gjënë pak ëndërrimtare që i solla unë dhe nuk më votuan.
Rudina Dembacaj: U mërzite Kastro?
Kastro Zizo: Nuk u mërzita. Unë në atë vend kam dalë që 14 vjeç, kur shumë nga këta zorraxhinjtë që janë në qarkullim, se nuk dua të shpalos talentin tim të zi okult ndaj injorancës, por më vjen inat dhe inatin se kam me ata por me veten. Pse ky vend ende nuk e pranon një gjë të mirë? Pse ky vend nuk sheh nga Perëndimi?
Rudina Dembacaj: Ti mendon se kënga jote ishte shumë e mirë?
Kastro Zizo: Unë nuk mendoj së kënga ime ishte shumë e mirë, por mendoj se në nivelin e atyre materialeve që ishin aty, kishte një standard tekniko-muzikor shumë herë më të lartë se materialet që ishin aty dhe me çmimet që morën.
Rudina Dembacaj: Mendon se e meritonte vërtetë Mumajesi?
Kastro Zizo: Siç një komb meriton qeverinë që ka, meriton dhe muzikën që ka. Kështu që ne jemi në këtë pikë dhe sigurisht që ajo është kënga fituese. Nëse do ishin deputetët e një parlamenti, ata artistë që ishin aty janë zëri popullit.
Rudina Dembacaj: Ty a të pëlqeu?
Kastro Zizo: Unë kam shije tjera. Jam rritur me muzikë pak më inteligjente.
