Pranga doganierit të Përmetit në Qafë Botë, u kap me 34 kg kanabis dhe armë në mjet
Një doganier i pikës doganore "Tre Urat " Përmet ra në prangat e kolegëve të tij në Qafë Botë të Sarandës pasi u kap me 34.55 kilogramë kanabis dhe një armë zjarri në automjet.
Arten Ibrahimi, 35 vjeç, po udhëtonte me një mjet tip "Toyota".
"Ditën e sotme shërbimet e Policisë Kufitare në Qafë Botë, bazuar edhe në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të detajuar automjetin tip “Toyota” ku dyshohej se mund të transportonte lëndë narkotike. Pas kontrollit të imtësishëm duke përdorur edhe qenin antidrogë, në automjet është konstatuar në pjesën e bagazhit një vend i posaçëm ku ishin fshehur pako me lënde narkotike të cilat pas peshimit kanë rezultuar 34.55 kilogramë e dyshuar si e llojit canabis sativa" thuhet në njoftim.
Gjithashtu, në kontroll e sipër në automjetin e 35-vjeçarit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip TT model 54'.
Në vendngjarje kanë mbërritur Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku në përfundim të veprimeve kanë bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit, shtetasit Arten Ibrahimi,banues në Përmet, me detyrë doganier në pikën doganore "Tre Urat" Përmet.
Materialet do ti referohen Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Trafikimi i armëve dhe municionit".
