Kalvari i Lleshajt në Gjykata, gjenerali fitoi dy herë gjyqin me Presidentin dhe Ministrinë
Zv.ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka pasur një kalvar të gjatë në gjykatat shqiptare pas lirimit nga detyra në Forcat e Armatosura.
Padia e tij e parë u bë në qershor 2016 një muaj pas shkarkimit, por më pas ai fitoi dy herë të drejtën për kthim në detyrën e zv.shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.
Pavarësisht vendimit të gjykatës, Lleshaj nuk e mori më këtë detyrë, pasi ministria e Mbrojtjes nuk dërgoi asnjëherë propozimin përkatës për dekretim tek kreu i shtetit. Ndonëse vendimi nuk u zbatua Lleshaj mori pagën për gjithë periudhën e shkarkimit.
Zv.ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i kthyer në një mollë sherri mes kryeministrisë dhe presidencës lidhur me çështjen e dekretit në detyrën e re, ka pasur një kalvar të gjatë e të paqartë në gjykatat shqiptare.
Padia e parë e tij është bërë në Gjykatën Administrative të Tiranës në datën 26 qershor 2016 dhe ka si palë: Lleshajn si paditës dhe Presidentin e Republikës e Ministrinë e Mbrojtjes, si palë të paditura. Objekti i çështjes është konstatim të pavlefshmërisë së dekretit të Presidentit, datë 21.05.2013 dhe anulimin e urdhërit të ministrit të Mbrojtjes, për lirimin nga detyra e zv.shefit të shtabit të Forcave të Armatosura.
Sandër Lleshi e fitoi gjyqin në shkallën e parë dhe në Apel, por ministria e Mbrojtjes paraqiti rekurs në gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, më 21 dhjetor 2016, vendosi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave dhe kthimin e çështjes për rigjykim.
Më 14 shtator 2017 çështja e kthyer u regjistrua në pësëri në gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës. Sipas vendimit të togave të zeza, Lleshaj, e rifitoi gjyqin pasi dekreti i presidentit për lirimin e tij nga Forcat e Armatosura dhe urdhëri i ministrit për ta larguar nga detyra e zv.shefit të Shtabit, u shfuqizuan.
Gjykata vendosi kthimin e Lleshajt në detyren e Zv/Shefit te Shtabit, apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën qe mban. Po kështu në vendim gjykata urdhëroi edhe detyrimin e pales se paditur Ministria e Mbrojtjes ti paguajë Lleshajt, pagen nga data 29.05.2013, deri në sistemimin e tij në detyrën e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshem të Forcave të Armatosura, apo në një detyre tjetër në përputhje me gradën që mban.
Pavarësisht këtij vendimi, Sandër Lleshaj nuk është kthyer më në detyrën e mëparshme të zv.shefit të Shtabit të përgjithshëm. Ky funksion kërkon dekret nga presidenti por ministri i Mbrojtjes, nuk ka bërë kërkesë në zbatim të vendimit të gjykatës.
