Hajdari kritika Gjiknurit: Pa pikë turpi i shtrin dorën opozitës! Balla dakord me propozimet për reformën zgjedhore

Hajdari kritika Gjiknurit: Pa pikë turpi i shtrin dorën opozitës!

Deputetja Rudina Hajdari ishte sërish sot protagoniste në seancën plenare. Nga foltorja e Kuvendit ajo adresoi kritika ndaj bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri lidhur me kërkesën për shtyrjen e mandatit të komisionit por edhe insistimin e  tij për të përfshirë në proces ish-deputetët e opozitës.

Hajdari tha se komisionit i ka mbaruar mandati pa asnjë rezultat dhe se këtë marrëveshje mazhoranca e ka pasur me ish-opozitën jo deputetët e rinj.

Teksa shpalosi propozimet e saj për organizimin e partive dhe kodin zgjedhor, ajo tha se nuk do bëhet pjesë e komisionit të reformës zgjedhore nëse të pranishëm nuk janë ekspertë të OSBE-ODIHR, Venecias dhe përfaqësues të KQZ-së

Rudina Hajdari: Dua të flas për një kërkesë që ka ardhur nga deputeti Gjiknuri. Ishte një kërkesë e pavend nga një deputet i vetëshpallur si kryetar i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Komisionit i ka mbaruar mandati me 21 shkurt 2019, ka një vit e gjysmë që ishte në funksion. I mbaroi mandati pa dhënë asnjë rezultat. Ata deputetë që ishin në Parlament nuk janë më dhe ju e keni bërë këtë marrëveshje me ta dhe jo me këtë opozitë të re. Deklaratat e Gjiknurit ishin shëmbëlltyra më e keqe se çfarë ndodh në këtë sistem partiak-politik në këto 28 vitet e fundit.

Gjiknuri pa pikë turpi, jashtë rregullave të Kuvendit dhe jashtë Kushtetutës, i shtriu dorën opozitës dhe i tha: Ju duhet të bëni pjesë në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Ku është dëgjuar të kemi një ish-deputet që të vijë dhe të jetë bashkëkryetar por të ketë dhe të drejtën e vetos.Propozimi i PS është propozim i drejtëpërdrejtë që i bëhet ndërkombëtarëve se këto po plotësojnë kriteret e tyre sa i përket kërkesave të BE.Kjo ofertë është një mënyrë për të pasur një marrëveshje nën tavolinë me PD dhe LSI. Kjo nuk ka për të ndodhur. Komisioni duhet të mbyllet. Unë do jap propozimet e mia si deputete. 

Duhet të fillojmë me propozimet sa i përket partive politike.Dua të fillonim me një ndryshim të ligjit të partive politike, të kemi ide të qartë sa i përket financimit të partive.Duhet një organizim më demokratik brenda partive politike.Duhet të eleminojmë partitë e vogla që nuk kanë asnjë lloj funksioni dhe paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.Po të vimë te kodi zgjedhor duhet të kemi prioritete të tjera.Duhet të depolitizojmë administratën zgjedhore. Nuk duhet të kemi më një administratë zgjedhore të zgjedhur nga partitë politike.Unë nuk do të ulem në asnjë lloj komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore pa pasur ekspertët e OSBE-ODIHR, Komisionit të Venecias dhe një përfaqësues të KQZ-së. Dua që ky sistem zgjedhor të ndryshojë, të gjejmë një sistem që i jep sovranitetin popullit dhe jo kryetarëve të partive, të kemi një sistem që ekzekutivi të mos kontrollojë parlamentin por parlamenti të kontrollojë ekzekutivin.

Në përgjigje kreu i grupit parlamentar socialist Balla ishte dakord me Hajdarin por tha se këto çështje duhen ndarë.

Balla tha se në javët në vijim duhet të ngrihet një komision tjetër që do të ndryshojë në themel ligjin e financimit të partive politike.

Taulant Balla: Çështja e financimit të partive politike është thembra e Akilit e  gjithë këtyre 28 viteve demokraci.Në javët në vijim përveç këtij komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore që kemi duhet të ngremë një komision tjetër që të ndryshojë terësisht ligjin e financimit të partive politike. Të gjitha këto çështje duhen ndarë. Kodi zgjedhor ka të bëjë me infrastrukturën e administrimit të procesit zgjedhor. Nevoja për të punuar së bashku ka buruar nga raporti i OSBE-ODIHR. Në rekomandime, themeli mbetet depolitizimi i komisionerëve.Nuk mund të jemi më një demokraci me parime staliniste ku partitë votohen, partitë numërojnë. Ata që numërojnë duhet të jenë një trupë vullnetare qytetarësh apolitikë.

Deputetja Hajdari replikoi sërish.

Rudina Hajdari: Komisioni i posaçëm është mbyllur.  Ky është parlament i ri dhe ju duhet të pranoni. Atij komisioni i ka mbaruar mandati. Ne duhet të ulemi dhe të themi se kush janë propozimet e reja. Ju keni bërë marrëveshje me njëri-tjetrin për të bërë rrotacion politik dhe për të mbajtur të njëjtin pushtet.


EMISIONET