Manastirliu apel në Ora News: Mos u grumbulloni para bankomateve
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, apeloi edhe njëherë qytetarët të ruajnë të distancimin social si e vetmja armë për të luftuar koronavirusin.
Në një lidhje me skype për Ora News, Manastirliu ngriti shqetësimin e grumbullimit të qytetarëve para bankomateve pa ruajtur asnjë perimetër sigurie.
Manastirliu: Është një infeksion shumë i rrezikshëm ndaj është e rëndësishme të respektojnë rregullat. Duke ardhur në punë sot kam parë sot në mëngjes qytetarë që ishin pranë bankomateve që nuk ruanin perimetrin e sigurisë. U bëj thirrje qytetarëve që edhe pse në orët e lejuara të bëjnë distancimin social, të mos bëjnë grumbullime dhe mund të përhapet lehtësisht. Duhet të jetojmë me këto rregulla, të bëhet zakon distancimi social, perimetri i sigurisë 1.5 metra. Kjo nuk është lojë por luftë.Arma që kemi për të luftuar këtë luftë është distancimi social dhe qëndrimi në shtëpi. Duhet të pengojmë shpërhapjen.Izolimi dhe vetëkarantinimi ndihmon shumë në uljen e të prekurve dhe ndihmon sistemin shëndetësor të përballojë flukse dhe të trajtojë me cilësi ata që preken nga ky infeksion.Le të mbrojmë mjekët duke mbrojtur veten tonë.
Të pastrehët dhe familjet me ndihmë sociale-Ka masa të veçanta, është ngritur një rrjet që kryesohet nga Ministria e Mbrojtjes për gjithë suportin që u ofrohet të moshuarve të vetmuar apo familjeve me ndihmë ekonomike qoftë me ndihma ekonomike, suport të paketës sociale, barnat e rimbursimit që po ashtu kanë rëndësi thelbësore sa i përket të sëmurëve kronikë.
Numri i gjelbër- Linjë këshillimi falas për çdo qytetar, 08004040 është për ata që kanë nevojë për një konsultë. Ju mundëson lidhjen direkte me mjekun tuaj të familjes.
Rastet e urgjencave- Numri 127 është struktura e dedikuar për transferimin në spitale të gjithë llojeve të urgjencave. Të mos referohen në spitale qytetarët. Spitali Infektiv me 127 shtretër është në funksion të trajtimit të pacientëve me COVID 19, do të vihet dhe "Shefqet Ndroqi" me 190 shtretër dhe një strukturë shtesë në QSUT, ish-kirurgjitë e vjetra. Të gjithë urgjencat kirurgjikale dhe patologjitë malinje do të realizohen në Spitalin e Traumës. QSUT vazhdon ofrojë shërbim për gjithë urgjencat.
BE ka kufizuar eksportet mjekësore ndaj Ballkanit-Ka një problematikë mbarëbotërore. Kemi bërë të gjithë përpjekjet për furnizimin në vazhdim dhe do të vijojmë me gjithë tamponet dhe testet, kemi vijuar procedurën për blerjen e respiratortëve të rinj.Këtë fundjavë presim një furnizim me materialet për mbrojtjen personale. Do të bëjmë të pamundurën për të siguruar mjetet e nevojshme për të luftuar këtë armik.
Ndihmë nga Kina- Kemi bërë një kërkesë, jemi në pritje. Jo vetëm ndaj tyre por dhe shumë autoritete të tjera. Kam zhvilluar në telekonferencë dje me gjithë partnerët ndërkombëtare që të kemi kanale të lira të komunikimit për furnizimet në vazhdim, për pajisjet dhe materialet mjekësore.
