Gomonia me 1,6 tonë kanabis, biznesmeni grek: Më bënin shantazh trafikantët shqiptarë

Gomonia me 1,6 tonë kanabis, biznesmeni grek: Më bënin shantazh

Biznesmeni grek që akuzohet si pjesë e organizatës që trafikoi 1,6 tonë kanabis, do të pretendojë para hetuesve se ai ishte viktimë shantazhesh nga trafikantë shqiptarë.

Kështu shkruan portali grek, To Vima, që u referohet burimeve nga avokatët mbrojtës i biznesmenit Spiros Kardamis, në pronësi të të cilit ishin gjashtë skafe, përfshirë edhe gomonia që u kap më 26 nëntor.

Sipas portalit, Kardamis do të pretendojë se nuk kishte asnjë dijeni që skafi i tij po përdorej për transportimin e drogës.

Ai do të thotë se gjithë veprimtaritë e tij ishin të ligjshme dhe se skafet i kishte blerë për t’ua dhënë me qera turistëve.

Mirëpo sipas tij, trafikantët e drogës i bënin vazhdimisht presion dhe kjo-sipas tij ishte arsyeja që ai nuk i “hiqte dot qafe” skafet, pavarësisht se edhe herë të tjera ishte hetuar nëse ato mjete ishin përdorur për trafikim droge.

Gjithsesi, autoritetet po hetojnë edhe të kaluarën e biznesmenit 63 vjeçar, i cili para disa vjetësh kishte rënë viktimë rrëmbimi. Kardamis bashkë me mikeshën e tij ukrainase ishte rrëmbyer në Korfuz nga mafiozë rusë, që i kërkonin 500.000 euro për ta lëshuar. Siç rezultoi nga hetimet porositës i rrëmbimit ishte një biznesmen grek nga Greqia e Veriut.

Të premten deri pasdite vonë pritej të depononin para hetuesit të pandehur të tjerë nga 11 të arrestuarit për trafikun e 1,6 tonë kanabis nga Shqipëria. Deponimet filluan të merkurën dhe vazhduan edhe të enjten, kur u paraqitën një italian dhe dy shqiptarë, edhe pse ata i mohuan akuzat, prokurori ka urdhëruar mbajtjen në paraburgim të tyre.

Sa u përket hetimeve, burime nga policia bregdetare greke thanë se çështja në fjalë ka shumë pista. Në këtë kuadër po shqyrtohen dosje më të hershme të trafikimit nga deti, por edhe lidhje të mundshme të trafikantëve me roja bregdetare në Greqinë perëndimore që mund t’i informonin trafikantët për patrullimet e kolegëve të tyre.


EMISIONET