Komisar Artan Cuku u vra për shkak të detyrës, 10 vite burg ekzekutorit, Mikel Shallari

Komisar Artan Cuku u vra për shkak të detyrës, 10 vite burg

Komisar Artan Cuku u vra për shkak të detyrës dhe Mikel Shallari është ekzekutori 

Sot Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi marrëveshjen e prokurorisë me të riun nga Kuçova, duke e dënuar atë me 10 vjet burg, pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke ndihmuar në zbardhjen e motivit të krimit, kush ishin porositësit, ndërmjetësit  dhe si u krye vrasja e 8 prillit 2017 në pallatin ku banonte ish drejtori i policisë së Vlorës. 

Urdhëruesit dhe motivi 

25 vjeçari ka treguar se porositë i krimit është Bledar Jambelli ndërsa ndërmjetësi Kristaq Leci të dy persona të shpallur në kërkim të cilët do te gjykohen në një proces të ndarë.

 Mikel Shallari vrau kryekomisarin Artan Cuku pasi iu premtua se do të merrte 20 mije euro, si dhe do e ndihmonin të largohej drejt Gjermanisë. "Mikel Shallari është ekzekutori material i krimit të vrasjes së viktimës Artan Cuku. Krimi është porositur dhe kryer në bashkëpunim me të pandehurit, Bledar Jambelli, dhe Kristaq Leci. Mikel Shallari nuk ka pasur njohje me viktimën, ndaj e vetmja mundësi është shpjegimi i tij se krimi është porositur kundrejt pagesës dhe përfitimeve të tjera, nga Jambelli dhe Leci, për shkak të ndalimit të Bledar Jambellit dhe mbajtjes në Paraburgim nga 7 dhjetori 2012 deri më 7 qershor 2014. Fakt për të cilin ai ngarkonte me përgjegjësi viktimën. Pra krimi lidhet me detyrën që kryente viktima si drejtor i Drejtorisë së Policisë së Vlorës në ato vite." shkruhet në akt marrëveshjen e përbërë nga 9 faqe.

 Sipas Shallarit për këtë vrasje atij i ishin premtuar 20 mijë euro dhe shkak mendohet se është hakmarrja e Jambellit pasi Artan Cuku kur drejtonte policinë e Vlorës, e kishte arresuar si të dyshuar për vrasjen e shtetasit Amarildo Delaj.

Jambelli, arrestimin e tij e quante të padrejtë të nxitur nga persona të tjerë. Ky ishte motivi për të cilin ai kishte vendosur ta vriste viktimën Artan Cuku. Fillimisht Shallari mohoi përfshirjen e tij në krim por më pas më 12 qershor 2017 ai shprehu vullnetin të bashkëpunojë me drejtësinë dhe firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorin.

Sipas dëshmisë Shallarit, plani i vrasjes u thur për 10 ditë me porosi të organizatorit Bledar Jambelli, dhe më pas i pandehuri, me ndihmën e Kristaq Lecit, vëzhguan territorin rreth banesës së komisarit dhe e ruajtën për të gjetur rastin e volitshëm për ta vrarë.

Ditën e atentatit më 8 prill 2017 ndërsa viktima po kthehej në banesë, Shallari po e priste para pallatit. Në vendngjarje ai shoqërohej nga Kristaq Leci, i cili e priste tek fusha pranë pallatit dhe e orientonte në distancë me anë të sms-ve.

Pasi Artan Cuku u shfaq dhe u fut në një minimarket, në katin e parë të pallatit, Mikel Shallari u pozicionua tek shkallët në pjesën e brendshme të hyrjes. Me tu shfaqur komisari ai e qëlloi me të dyja armët njëherësh. Artan Cuku mbijetoi dhe tentoi të hynte në ashensor ndërsa i pandehuri iu vu pas dhe e qëlloi edhe aty. 

Më pas provohet se viktima doli nga ashensori duke tentuar të përleshej fizikisht me autorin, por i pandehuri e qëlloi përsëri duke i dhënë goditjen fatale në pjesën e kokës. Pas krimit Mikel Shallari u largua sipas intinerarit të paramenduar. Tek sheshi Wilson prenotoi një taksi e cila e çoi pranë Astirit në Unazën e Re" ku e kishin lënë të takoheshin me bashkëautorët Jambelli dhe Leci.

Pas krimit mendohet se Bledar Jambelli dhe Leci janë larguar nga Shqipëria, ndërsa arrestimi i Mikel Shallarit u bë pas ekspertizes se ADN-se dhe kamerave të sigurisë.


Ku do vuaje denimin Mikel Shallari?

Mikel Shallari u deklarua fajtor për kryerjen e krimit të vrasjes për shkak të detyrës të oficerit në lirim të Policisë së Shtetit Artan Cuku, të kryer në bashkëpunim. U deklarua fajtor për mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit. Denimi do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Lexoni dhe : Ekskluzive rrefimin e Mikel Shallarit: Si dhe pse u vra Artan Cuku

Çfare eshte akt marreveshja?

Në bazë të Kodit të ri të Procedurës Penale në momentin kur një i pandehur pranon të bashkëpunojë me prokurorinë me qëllim marrjen e statusit të të penduarit, për të lehtësuar pozitën e tij, e gjithë kjo konkludohet në një akt marrëveshje që duhet të zyrtarizohet në gjykatë.

Akt marrëveshja që mban datën 27 prill 2018 është nënshkruar në fazën e hetimit  me të arrestuarin kundrejt ndihmës që ai ka dhënë në zbardhjen e ngjarjes duke treguar se kush ishte porositësi dhe ndërmjetësi.

"Akuza mbajti parasysh faktin se sqarimi i të gjitha rrethanave të krimit, identifikimi i urdhëruesit Jambelli dhe gjetja e provave do të ishte vecanërisht e vështirë pa kontributin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Gjithashtu, u mbajt parasysh edhe arsyeja e ligjit, i cili synon të nxisë bashkëpunimin me drejtësinë, si element shumë i rëndësishëm për parandalimin e krimeve të rënda dhe mbrojtjen e shoqërisë. I pandehuri dhe mbrojtja kërkuan që të mbahet parasysh pendimi i thellë i të pandehurit, kontributi i tij i rëndësishëm në sqarimin e rrethanave dhe gjetjen e provave të krimit dhe jursprudenca e gjykatave në raste të ngjashme, kur asnjë i penduar i drejtësisë nuk është dënuar me burgim më të rëndë sesa 10 vjet", shkruhet ne akt marrëveshjen e firmosur  mes të pandehurit, Mikel Shallari, prokurorit të çështjes Henrik Ligori dhe avokates Edlira Naqellari,

Porositesi dhe ndermjetesi

Dosja e Mikel Shallarit është ndarë nga dosja e Bledar Jambellin dhe Kristaq Leci ose Gerti Kajo  Këta të dy janë  shpallur në kërkim dhe hetohen në një dosje të veçuara nga ajo e Shallarit tek Krimet e Rënda.


Ekskluzive rrëfimi i Mikel Shallarit, si dhe pse u ekzekutua Artan Cuku


EMISIONET