Festuan duke bërë shqiponjën, kreu i federatës serbe thirrje FIFA-s: Dënoni Xhakën dhe Shaqirin!

Festuan duke bërë shqiponjën, kreu i federatës serbe thirrje

Ishin heronjtë e ndeshjes duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë fitoren kombëtares së Zvicrës ndaj Serbisë. Por Xhaka e Shaqiri përveç fushës së lojës, "pushtuan" edhe mediat dhe rrjetet sociale me veprimin e tyre gjatë festimit të golave.

Dy futbollistët me origjinë shqiptare festuan duke bërë me duar shqiponjën, gjest ky që tregon shqiponjën në flamurin e Shqipërisë.

Kreu i federatës serbe të futbollit, Slavisa Kokeza, u shpreh se dy futbollistët duhet të "dënohen nga e gjithë bota e futbollit" për festimin e tyre.

Kokeza beson se festimet ishin qëllimisht provokative dhe i bën thirrje FIFA-s të lëshojë një dënim të rëndë për to.

"Meriton të dënohet nga e gjithë bota e futbollit. Nuk ishte provokimi i vetëm i futbollistëve të Zvicrës. Një detaj tjetër ishin dhe këpucët e Shaqirit, të cilat kishin flamurin e Zvicrës dhe një flamur tjetër të një vendi jo-ekzistues. Presim që FIFA të imponojë sanksione kundër këtyre dy lojtarëve që kanë vepruar kundër rregullave të FIFA-s dhe lojës së drejtë," u shpreh kreu i federatës serbe për BBC.

Ndërkohë FIFA është duke hetuar për gjestin e dy futbollistëve me origjinë shqiptare.

EMISIONET