Festimet e heshtura të ditës së fitores
Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, ceremonitë për të shënuar fitoren ndaj nazizmit ishin të kufizuara. Në to munguan veteranët e luftës që tani janë të mbyllur nëpër shtëpi për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Udhëheqësit në mbarë Evropën shënuan me ceremoni të vogla 75 vjetorin e fitores ndaj nazizmit, pavarësisht se pjesa dërmuese e kontinentit mbetet e izoluar. Në Mbretërinë e Bashkuara kryeministri Boris Johnson mbajti dy minuta heshtje në nderim të të rënëve në luftë, ndërsa një ditë më parë ndezi i vetëm edhe një qiri në kishën e Wenstminster.
Ceremoni të vogla u mbajtën edhe nga udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel.
Gjithashtu ceremoni të tjera janë zhvilluar në mbarë kontinentin për të shënuar fitoren ndaj nazizmit, por grumbullimet masive mbeten të ndaluara.
Presidenti Macron vendosi një kurorë lulesh pranë varrit të ushtarit të panjohur në Paris, ceremoni që u ndoq nga një grup i vogël zyrtarësh.
Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel drejtoi ceremoninë pranë Momerialit Qendror të luftës.
Festimet e sotme pritej të ishin masive në nder të veteranëve të luftës që e çliruan Europën nga nazizmi, por tani luftëtarët e lirisë janë të mbyllur nëpër shtëpi për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Më 8 maj 1945 aleatët pranuan dorëzimin pa kushte të Gjermanisë pas gjashtë vjet lufte. Por ajo ditë nuk i dha fund Luftës së Dytë Botërore, pasi Japonia imperialiste nuk ishte mundur nga aleatët deri në gusht të vitit 1945.
