“Është afër”, Haradinaj zbulon bisedën me Grenell: I kërkova kontratën për njohjen e pavarësisë
Ramush Haradinaj ka zbardhur një bisedë që ka pasur me të dërguarin e Donald Trump, Richard Grenell për ndërmjetësimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Sipas tij, Grenell e ka pyetur nëse mundet ta heq taksën ndaj Serbisë, ndërsa Haradinaj, i është drejtuar ambasadorit Grenell nëse mundet që ai mundet t`i japë kontratën e marrëveshjes.
Haradinaj: Nëse ne nuk kërkojmë njohjen, si mund të besojë dikush tjetër që është koha për ta ofruar. Ambasadori Grenell ka qasje krejt ndryshe, por këto nuk janë finalja. Ne duhet t`i themi faleminderit për këto, por na sill kontratën. Edhe unë i kam kërkuar këtë gjë. E kam takuar ambasadorin Grenell dhe më ka pyetur: a mund të heqësh taksën? Dhe unë i kam thënë: a mund të na sjellësh kontratën?! Ai më tha se po vjen ajo ditë. Nëse do kisha kontratën në tavolinë taksën do e kisha hequr.
Ndërkohë, duke komentuar marrëdhëniet me liderët e tjerë të politikës në Kosovë, Haradinaj shprehet se të gjithë duhet të punojnë për suksesin e Kosovës.
Haradinaj: Unë kam pasur mospajtimet të thella me Thaçin për ndarjen e territoreve. Të gjithë ne duhet të punojmë e të sjellim sukses në Kosovë. Unë nuk i mërzitem suksesit të Kosovës. Mendoj që ofertimi i Kurtit dhe Osmanit para ardhjes në qeveri për heqjen e taksës ka qenë veprim i pamatur.
