Diplomacia nuk është estetikë, ambasadorët: Ekselentët duhet të nisin fillimisht karrierën

Diplomacia nuk është estetikë, ambasadorët: Ekselentët

Largimi i diplomatëve të karrierës dhe vendosja në detyrë i studentëve ekselentë shihet me shqetësim prej Këshillit të Ambasadorëve. Në një deklaratë për mediat i kujtojnë Ministrit Gent Cakaj se edhe këta studentët duhet të nisin fillimisht karrierën pasi vetëm arsimi nuk është i mjaftueshëm. Madje veprime të tilla konsiderohen shkelje ligji.

Këshilli i Ambasadorëve ka kërkuar nga Ministri i Jashtëm Gent Cakaj të respektojë ligjin sa i përket rekrutimeve në diplomaci. Duke komentuar thirrjen për punësimin e studentëve ekselentë, KASH shprehet se Shërbimi Diplomatik ka nevojë të konsolidohet me diplomatë karriere, që i promovon dhe i mbron ligji dhe jo për prurje nga jashtë pa respektuar ligjin.

Përjashtim nuk mund dhe nuk duhet të përbëjnë as edhe studentët “ekselentë”.

Një student i shkëlqyer, apo siç e konsideron MEPJ, “ekselent”, është thjesht një student që ka mbaruar studimet dhe që duhet të motivohet të aplikojë për të filluar karrierën e tij sektoriale apo akademike.

Madje në deklaratë thuhet se vetëm eksperienca, vlerësimet në punë dhe karriera në shërbimin e jashtëm janë kriteret themelore që duhen marrë në konsideratë.

"Në asnjë mënyrë, rastet përjashtimore dhe të veçanta që ligji parashikon, në pikën 3 të nenit 31 (Ministri i Punëve të Jashtme mund të emërojë në misionet diplomatike dhe postet konsullore, në raste të veçanta, ekspertë jashtë Shërbimit të Jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit), nuk mund e nuk duhet të kthehen në përgjithësim".

Ndaj në deklaratë thuhet se aplikimi i këtij parimi do të dëmtonte më tej Shërbimin e Jashtëm shqiptar dhe do të demotivonte të gjithë trupën diplomatike.

Madje ambasadorët shprehen se kriteret subjektive mbi aftësinë individuale apo vlerësimeve estetike janë minimalisht abuzim me detyrën nga i gjithë zinxhiri rekrutues dhe maksimalisht mungesë respekti për trupën aktuale diplomatike.

EMISIONET