Dhuna në familje, 22 shoqata: Përgjegjësi e shtetit, të rehabilitohen burrat dhunues
Dhuna dhe vrasjet e grave si pasojë e krimit në familje, ka nxitur reagimin e 22 shoqatave të shoqërisë civile në Shkoder të cilat kërkojnë rregulla më të rrepta në rehabilitimin e burrave që dhunojnë gratë. Përmes një deklarate për mediat, ato ngarkojnë me përgjegjësi strukturat shtetërore.
Duke ju referuar qarkut Shkodër ku ata operojnë, vetëm për 3 vitet e fundit shifra e grave që i drejtohen gjykatave është e frikshme, plot 1500 kerkesë-padi për lëshim urdhër mbrojtje nga të cilat janë pajisur vetëm 500 prej tyre. 3 janë kërkesat kryesore të këtyre shoqatave përballë këtij realiteti të zymtë.
Hapi i radhës që do të ndërmarrin këto shoqata është hartimi i një peticioni i cili do të prioritizojë cështjen e dhunës në familje drejtuar komisionit për Barazinë Gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj Gruas, në Kuvendin e Shqiperise.
Deklarata e plotë: Referuar ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit, ku dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore goditi sërish ku humbën jetën dy gra si pasojë e krimit në marrdhëniet familjare brenda 24 oreve, duke shënuar kështu rastin e 5-të që nga fillimi i këtij viti.
Ne, një grup organizatash të shoqërisë civile që punojmë për eliminimin e të gjithave formave të dhunës në shoqëri dhe promovimin e të drejtave të njeriut, shprehim indinjatën, zhgenjimin, dhe shqetësimin e madh që lidhet me pafuqinë e organeve kompetente shtetërore për të parandaluar dhe ndëshkuar rastet e dhunës që ndodhin ndaj vajzave e grave.
Ndonëse të mbrojtura nga ligje te mirëshkruara, gratë dhe vajzat shqiptare nuk arrijnë ta ndjejnë këtë mbrojtje në ekzekutimin e vendimeve të marra. Edhe pse “dhuna në famije” konsiderohet nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, si një veper penale, ajo, fatkeqësisht nga shoqëria por nganjëhere edhe nga institucionet vazhdon ende të mos konsiderohet një veper e tillë duke u reflektuar në shoqërinë tonë me mendësi patriarkale, në media, në politikë, në shkolla dhe në komunitet .
Kjo ndodh rendom në kushtet kur grave të cilat u drejtohen institucioneve pergjegjëse për të denoncuar rastet e dhunës u kërkohet të kthehen pranë dhunuesit dhe të mos shkatërrojnë familjet, apo edhe në rastet kur dhunuesi thyen vendimin e Gjykatës. Statistikisht gjatë tre viteve të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër janë depozituar 1500 kerkesë-padi për lëshim urdhër mbrojtje nga të cilat janë pasjisur me urdhër mbrojtje vetëm 500 prej tyre.
Indiferentizmi i shoqërisë apo i institucioneve bën që këto raste të cilat përbejnë një tjetër veper penale, të mos raportohen dhe të mos ndëshkohen duke vene keshtu akoma më shumë në rrezik viktimën.
Nganjëhere mosmarrja e masave të nevojshme për trajtime të specializuara për dhunuesit, siç janë ndiekja e programeve të rehabilitimit vene kështu në rrezik jo vetem viktimën por edhe vikima të tjera të mundshme nga ky dhunues.
Eshtë detyre dhe pergjegjësi morale dhe institucionale e secilit nga ne por sidomos e organeve shtetërore dhe kryesisht atyre të drejtësisë të cilët kanë në dore implementimin dhe ekzekutimin e ketyre ligjeve, që të analizojnë thellësisht shkaqet e kësaj dhune, duke marrë masa urgjente për t’i parandaluar dhe ndëshkuar ato. Po kështu, media duhet te luajë rolin e saj edukues në parandalimin e rasteve të dhunës duke ndaluar stigmatizimin e viktimave.
Me anë të këtij reagimi publik Ne si shoqeri civile kërkojmë që:
1. dinjiteti njerëzor i vajzave dhe i grave të respektohet dhe të mbrohet me cdo kusht.
2. sistemi i mbrojtjes në rang kombetare të jetë funksional për çdo individ, duke i kushtuar rëndësinë e duhur çështjeve që kanë lidhje me dhunën në familje.
3. ashpërsimin e masave ndaj dhunuesve dhe trajtim të detyrueshëm rehabilitues për secilin prej tyre
Angazhimi dhe detyrimi ynë si shoqëri civile ka qënë dhe mbetet mbrojtja dhe integrimi i grave i cili arrihet nëpërmjet rritjes së aksesit të tyre ndaj shërbimeve publike dhe jo publike .
Ndaj , ne do vazhdojmë te promovojmë rëndesinë e barazisë gjinore, duke ofruar shërbimet tona psikosociale, juridike , strehimin për femijë, gra dhe vajza, viktima të dhunës në familje, qendra ditore rekreative për femijë, aftësimin e grave përmes progameve të fuqizimit ekonomik të tyre si dhe ofrimin e shërbimit të rehabilitimit të burrave me sjellje agresive përmes programeve të këshillimit në ndihmë të fuqizimit të familjes duke u udhehequr nga parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit.
Ndërkohe, organizatat e shoqerisë civile në Shkodër do të vazhdojnë ta mbështesin këte iniciative në nxitjen e hapave të metejshem per hartimin e një peticioni i cili do të prioritizojë cështjen e dhunës në familje drejtuar nën komisionit për Barazinë Gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj Gruas, Kuvendit të Shqiperise.
22 shoqata te grave ne Shkoder per dhunen ne familje
