Çudia në fushë/ Portieri i Tunizisë bën si i dëmtuar që lojtarët të nisin iftarin
Ekipi kombëtar i futbollit i Tunizisë ka gjetur një mënyrë të zgjuar për të thyer agjërimin gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Gjatë ndeshjeve miqësore ndaj Portugalisë dhe Turqisë, portieri Mouez Hassen "aktron" duke bërë si i dëmtuar në mënyrë që futbollistët të nisin iftarin.
Gjatë ndeshjes së parë me Portugalinë, ndërsa tunizianët ishin në disavantazh 2-1, Hasse u pa të “dëmtohej” në minutën e 58-të, një shtirje që u mundësoi shokëve të skuadrës të vraponin drejt stolit të rezervave për të futur diçka në gojë e për të thyer kështu agjërimin e Ramazanit.
Pasi pinë ujë dhe konsumuan gjëra të lehta, kombëtarja afrikano-veriore shënoi edhe golin e barazimit 6 minuta më vonë, duke frenuar kampionët në fuqi të Europës për 30 minutat e tjera në barazimin 2-2.
Po njësoj, këtë herë në minutën e 49-të të miqësores ndaj Turqisë, Hassen u rrëzua me shpinë përtokë për t’u lejuar sërish lojtarëve tunizianë të shkonin e të rrëmbenin ushqime të lehta, pas thyerjes së agjërimit.
Edhe ndaj turqve, tunizianët morën sërish një barazim në të njëjtat shifra, 2-2.



