"BOOM", të burgosurit i mohojnë lejen shpërblyese, institucionet nuk japin arsyen

"BOOM", të burgosurit i mohojnë lejen shpërblyese,

Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora trajtoi ditën e sotme dënoncimin e z. Fatmir Plaga, i cili vuan dënimin në burgun e Fierit.

64 vjeçari denoncon faktin se i mohoet e drejta për të marrë leje shpërblyese pavarësisht se i plotëson të gjitha kushtet për ta përfituar atë.

Fatmir Plaga: Unë quhem Fatmir Plaga, 64 vjeç. Kam 4 vjet që punoj shtrues buke. Katër vjet që punoj pa shkëputje. Jam me sjellje të mira. Kam marrëdhënie të mira me të burgosurit, me policët. Nuk kam raport shërbimi dhe kërkoj leje, kam dy vjet që jam bërë për leje nuk më japin leje.

Sa vjet keni i dënuar?

Kam shtatë vjet e gjysmë i dënuar, kam dy vjet e gjysmë që jam bërë për leje, që në nëntor 2017. Nuk më nxjerrin me leje. Vjen nga komisariati i Tiranës është një shef komisariati Gilbert Hoxha, thotë mos dali me leje Fatmiri, se arratiset nga burgu, dhe nuk kthehet më në burg. Thotë mos dali me leje se ka konflikte. Unë nuk kam asnjë konflikt. Me asnjë person se unë e kam nenin dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri. S`kam lidhje me vrasje, me plagosje.

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është e përcaktuar qartë, mënyra e dhënies së lejes shpërblyese si dhe kushtet që duhen plotësuar për përfitimin e saj bazuar mbi këtë ligj.

Kush përfiton leje shpërblyese dhe si

"Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve thuhet:

Neni 59- Nr.8328, datë 16.4.1998 PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE

  Lejet shpërblyese

 Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t'u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit.

Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës.

Leja shpërblyese i jepet:

b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;

Brenda 7 ditëve nga marrja e kërkesës për leje, institucioni ku kryhet dënimi miraton lejen shpërblyese. Koha e dhënies së lejes përcaktohet sipas një grafiku të miratuar nga drejtori i institucionit që në fillim të vitit.

 Në rast refuzimi të dhënies së lejes, i dënuari ose përfaqësuesi i tij ligjor ka të drejtë të bëjë ankim pranë Ministrit të Drejtësisë, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative brenda 5 ditëve dhe më pas ka të drejtë të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për leje.

 Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë, kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit.

Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën "dh" të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme.

Gjithashtu baza ligjore thotë:

Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën "dh" të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme".

Nga dokumentacioni i mësipërm kuptohet se z. Fatmir Plaga i plotëson të gjitha kushtet për të marrë leje shpërblyese.

Atëherë denoncuesi masë disiplinore nuk ka, dhe nuk jemi në kushtet e një situate të jashtëzakonshme.

BOOM iu drejtua Komisariatit të Policisë për të mësuar arsyet se përse ka një mendim negativ për lejen e z. Plaga.

Por përgjigja e komisariatit ka qenëe cunguar.

Përgjigja zyrtare:

"Në përgjigje të kërkesë suaj, drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë , në lidhje me denoncimin që ka bërë shtetasi Fatmir Plaga pranë emisionit "BOOM" ju informojmë se:

Nga ana e komisariatit të policisë nr.2 Tiranë, pasi janë kryer të gjitha verifikimet sipas procedurës standarde të punës, është dhënë mendim për mos dhenien e lejes shpërblyese për të dënuarin Fatmir Rasim Plaga". 

Në pamundësi të marrjes së arsyeve të qarta nga ana e Komisariatit të Policisë, "BOOM" iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Nga përgjigja e marrë nga drejtoria rezulton se z.Plaga plotëson 2 prej 3 kritereve të vendosura.

Ai nuk ka marrë masa disiplinore për shkelje në institucion duke plotësuar kështu kriterin e parë.

Plotëson kriteret formale, ndërsa në të vetmin kusht që çalon është rrezikshmëria shoqërore.

Përgjgja zyrtare:

"Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në kuadër të zbatimit të parimeve të ligjit është tërësisht e angazhuar për maksimizimin e çdo të drejte të të burgosurve - sipas parashikimeve ligjore, përfshirë edhe trajtimin e tyre me leje shpërblyese.

Mbështetur në Ligjin nr 8328/1998, i ndryshuar, kriteret për përfitimin e lejeve shpërblyese janë:

1. Kriteret formale' 2. Sjellja në Institucion? 3. Rrezikshmëria shoqërore

Parimisht kërkesa e të dënuarit Fatmir Plaga është e bazuar në ligj dhe nga verifikimet e kryera nga ana jonë ky i dënuar i përmbush kriteret formale ligjore ndërsa nuk rezulton që ky i burgosur të ketë marrë masa disioplinore për shkelje në Institucion.

Mirëpo, përveç, këtyre kritereve, kusht për dhënien e lejes janë edhe çështjet e sigurisë dhe të rendit publik, sa lidhet me rrezikshmërinë shoqërore të të dënuarve gjatë kohës së trajtimit të tyre me leje shpërblyese në komunitet. Në kuadër të vlerësimit të komponentit të sigurisë për këtë të dënuar kemi të dhëna se për shkaqe të ndryshme kjo nuk është e garantuar në nivelin e duhur. Për rrjedhojë jemi në pamundësi objektive për të miratuar lejen në këtë fazë.

Ndërkohë, duke marrë shkas edhe nga shkresa Juaj, jemi në proces për riverifikim e sqarimin e çdo rrethane në lidhje me këto të dhëna, në bashkëpunim me strukturat përkatëse shtetërore.

Sa më sipër, i dënuari është njoftuar për ecurinë e procesit që po ndiqet sa lidhet me kërkesën e tij për trajtim me leje shpërblyese, gjithashtu, edhe për procedurat e mëtejshme që mund të ndjekë ai ose përfaqësuesi i tij ligjor për të kontestuar refuzimin për dhënien e lejes - duke bërë ankim pranë Ministrit të Drejtësisë, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe më pas përmes ankimimit në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për leje".

EMISIONET