"BOOM"- Pa kufizime, por as qeveria as bashkia nuk kanë gati asnjë masë për transportin publik
Prej datës 1 qershor nuk ka më kufizime për shkak të Covid-19. Por, ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me shërbimin e transportit publik, i përdorur në masë nga qytetarët .
Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora u ndal sot pikërisht në këtë problematik. Tirana është një qytet i madh dhe i vështirë dhe një sfidë e vërtetë nëse nuk përdor autobusin urban.
Shqetësues është fakti se nuk ka ende ndonjë udhëzim për operatorët e linjave urbane. As qeveria e as Bashkia e Tiranës, nuk kanë dalë në rezultate mbi këtë çështje.
Kreu i Shoqatës së Transportit Urban Qytetas si edhe qytetarët e konsiderojnë të vonuar rihapjen e këtij shërbimi.
Edi Rama: Me përjashtim të aktiviteteve kulturore, dasmave , po ashtu edhe transporti publik që do të rrijë mbyllur edhe për pak, gjithcka tjetër do të jetë e hapur njëlloj si më parë.
Dhe për këtë çështje, "BOOM" zhvilloi një intervistë me drejtorin e Shoqatës Kombëtare të Transportit, Rixhin Qosja.
Edhe ai pohoi gjithashtu se nuk ka një datë zyrtare të fillimit të transportit publik teksa thekson se qeveria është ende në bisedime me bashkinë.
Drejtori: Për ne dhe për përdoruesit, ende nuk kemi një datë të saktë të rinisjes. Presim. Dimë që janë në bisedime bashkia me qeverinë, por ende nuk dimë një rezultat të tyre, për të ditur më shumë për datën e rinisjes. Kemi kërkesa ose ankesa të vazhdueshme për të rinisur shërbimin. Kjo nuk varet nga ne.
Gazetari: Ku qëndron ngërçi?
Drejtori: Do të duhet të qartësojmë më mirë protokollin e sigurisë . Kjo nuk është se zgjat shumë. Mjafton të kopjojmë se cfarë kanë bërë vendet rreth e përqark nesh dhe e dyta, skema financiare, që është shumë e rëndësishme.
Por edhe qytetarët duket se nuk janë të kënaqur nga vendimi i qeverisë për të mbajtur mbyllur transportin publik.
Qytetari 1: Jo vetëm që duhet rihapur, por e gjitha kjo ishte një maskarallëk. Nuk e dimë se çfarë qëllimi kishte. Asnjëherë të mos ishin ndaluar.
Qytetarja 2: Është i nevojshëm të hapet sepse një pjesë e mirë atë kanë si mjet. Nuk kanë të gjithë mjete.
Qytetari 3: Jam 67 vjeç. Ngrihem që në mëngjes, të vij në këmbë e të iki në këmbë, do 1 orë.
Qytetari 4: Të hapet urgjentisht! Kur hapet bota, ne duhet të hapemi në mënyrë totale! Njerëzit humbasin punën.
