Emisioni BOOM në RTV Ora ka denoncuar sot se si 3 mijë hektarë tokë publike, në një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, është marrë me vendim gjykate nga disa persona që nuk kanë qenë kurrë pronarë të saj, duke u bazuar në dokumentet që institucionet shtetërore i kanë provuar si të falsifikuara.

Bëhet fjalë për rreth tre mijë hektarë në Rrushkull të Sukthit, pranë Gjirit të Lalzit. Ajo është një nga pronat më të mëdha publike, për të cilën ka patur vendime të ndryshme prej më shumë se 100 vjetësh për t'ia marrë shtetit.

Bazuar në dokumentet arkivore të kohës, nën kohën e sundimit osman, kjo tokë ka qenë në pronësi të Sulltanit, i cili e jepte atë në përdorim me qira.

Nga viti 1860-të deri në vitin 1912, pronën e kishin marrë nga Sulltani në përdorim me qira tre nënshtetas. Njëri prej tyre quhej Konstantin Shallvari. Në vitin 1888, të drejtën e shfrytëzimit me qira e morën tre djemtë e Konstantinit, njëri prej të cilëve quhej Miltiadh Shallvari.

Pas Pavarësisë, të gjitha tokat e Sulltanit kaluan në pronësi të shtetit të ri shqiptar dhe filloi krijimi i kadastrës. Në vitin 1919, me një deklaratë të pleqësisë së fshatit Rrushkull, Miltiadh Shallvari e regjistroi në emër të tij pronën që kishte me qira nga Sulltani, edhe pse ajo duhet të regjistrohej në emër të shtetit.

Miltiadhi Shallvari është një individ për të cilin dihet fare pak. Dihet që Shallvarët kanë qenë tre vëllezër të cilët të tre kanë lindur, jetuar dhe vdekur në Itali.

Ata kishin pak interes për Shqipërinë. Madje pronën që përvetësoi padrejtësisht në Sukth, Militadh Shallvari ua dha me qira për 20 vjet dy sipërmarrësve italianë, për të ngritur një fermë bujqësore. Ndërkohë që pronën e shfrytëzonin italianët në Shqipëri, vetë Shallvari vazhdoi të jetonte në Itali. Ai vdiq në vitin 1933 në Trieste.

Me testamentin e hartuar sipas ligjit, para dëshmitarëve dhe noterëve, në vitin 1929, Milituadh Shallvari ia la trashëgimi të gjitha pronat gruas së tij italo-kroate, Maria Llubica.

Pasi e regjistroi tokën në kadastër në emër të saj, Maria ia dha tokën me amfiteozë për 99 vjet një kompanie italiane, e cila krijoi në Sukth fermën e parë bujqësore në Shqipëri.

Maria jetonte në Trieste dhe nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë dhe nuk mendohet se ka vizituar ndonjë herë Shqipërinë.

Miltiadh Shallvari nuk kishte asnjë të afërm tjetër në Shqipëri. Për këto arsye, pas vdekjes së tij, persona të ndryshëm bënë përpjekje për t’ia marrë gruas së tij italiane pronën e Sukthit.

Personi më këmbëngulës dhe më i vendosur ishte një rrobaqepës nga Tirana, i varfër, i cili gëzonte statusin zyrtar të të vobektit.

Emri i tij ishte Jorgji Veveçka.

Pas vdekjes së Mithat Shallvarit, Veveçka pretendoi se ai ishte djali i motrës së Shallvarit dhe kërkoi të bëhej trashëgimtar i pronave të Shallvarit.

Për këtë gjë, ai hapi një proces gjyqësor në vitin 1934 në gjykatën civile të Durrësit. Sidoqoftë, ai nuk paraqiti asnjëherë ndonjë dokument në gjykatë që të vërtetonte lidhjen e tij me Shallvarin. Këtë fakt e pohoi edhe administrata mbretërore e cila, në shkresat e veta zyrtare informonte kadastrën e Sukthit se pretendimi i Veveçkës nuk ishte i mbështetur në asnjë dokument.

Për këtë arsye, gjykata e pushoi çështjen që paraqiti Veveçka.


Tokat në Rrushkull mbetën pa shkëputje në pronësi të gruas italiane të Shallvarit.

Në 1 maj të vitit 1944, prona u shtetëzua me dekret të Këshillit të Lartë të Shtetit, siç e tregon gazeta zyrtare e kohës.

Dekreti vërteton se prona është shtetëzuar para dhe jo pas çlirimit të vendit dhe vendosjes së regjimit komunist. Kjo do të thotë se prona e Rrushkullit nuk mund të jetë subjekt i ligjit të kthimit të pronave, pasi ky ligj trajton vetëm pronat e sekuestruara pas 29 Nëntorit 1944.

Pronat u regjistrua në emër të shtetit në 1945, pasi shteti komunist rikonfirmoi sekuestrimin e shoqërisë italiane EIAA, e cila kishte pasur me amfiteozë pronën para çlirimit.

63 vjet pas dekretit të 44-ës për të shtetëzuar tokën e përvetësuar padrejtësisht nga Shallvari në Rrushkull, pasardhësit e rrobaqepësit Jorgji Veveçka dhe tre motra të tij, kërkuan për herë të parë të fitonin të drejtën mbi tokën shtetërore në vitin 2007. Me pretendimin se ata ishin trashëgimtarë të Miltiadh Shallvarit, ata iu drejtuan fillimisht zyrës së kthimit të pronave në Durrës dhe kërkuan njohjen e të drejtës së pronësisë dhe kthimin në natyrë të pronës.

Zyra e kthimit të pronave në Durrës, e pranoi fillimisht kërkesën në gusht 2007, por zyra qendrore në Tiranë e bllokoi vendimin. Ajo i kërkoi zyrës së Durrësit të verifikojë dokumentacion në lidhje me rastin.

Pas verifikimit, në maj 2008, zyra e Durrësit e rrëzoi kërkesën e trashëgimtarëve të Jorgji Veveçkës dhe tre motrave të tij për njohjen e së drejtës së pronësisë, me arsyetimin se pretenduesit nuk kane qenë asnjëherë pronarë të tokës.

Është fakt i pranuar nga të gjithë se toka nuk ka qenë asnjëherë në pronësi të Veveçkës dhe motrave të tij dhe nuk ka qenë kurrë e regjistruar në kadastër në emër të tyre.

Kërkesa e pasardhësve u bazua vetëm mbi një dokument, sipas të cilit Veveçka dhe tre motrat ishin shpallur trashëgimtarë të pronave të Shallvarit nga gjykata komuniste në vitin 1946. Dokumenti i vendimit të pretenduar nuk kishte firmën e gjyqtarit dhe as vulën e gjykatës.

Pas refuzimit nga zyra e Durrësit, pasardhësit iu drejtuan Agjencisë Qendrore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë. Edhe kjo agjenci e rrëzoi kërkesën e tyre me të njëjtin arsyetim.

Pas këtij refuzimi, pasardhësit e Veveçkave iu drejtuan Gjykatës së Durrësit dhe në më pak se 1 vit, ndoshta, si kurrë më parë në historikun e komplikuar të pronësisë në Shqipëri, ata u njohën trashëgimtarë të Shallvarit dhe toka iu dha atyre.

Pretendimi që kishte refuzuar gjykata nën mbretërimin e Ahmet Zogut, u bë realitet në Tetor 2009, nga gjyqtarët e Durrësit Ervin Metalla, Dhurata Bilo dhe Markeljan Koça.

Avokatura e Shtetit e kundërshtoi këtë vendim, duke kërkuar që prona të mbetej e shtetit. Ankimi u pranua nga Gjykata e Apelit të Durrësit, e cila, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm, e la tokën në pronësi shtetërore.

Pasardhësit e Veveçkave dhe motrave të tij e çuan çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila, sërish, në kohë rekord, shqyrtoi çështjen dhe prishi vendimin e Apelit.

Vendimi për të njohur Veveçkat si pronarë të tokës shtetërore u mor nga Gjykata e Lartë vetëm një vit pas vendimit të Gjykatës së Apelit, në një kohë kur në pritje ishin pa u shqyrtuar prej kësaj gjykate mbi 20 mijë dosje.

Vendimi u miratua nga gjyqtarët Besnik Imeraj, Gani Dizdari, Fatos Lulo, Andi Çeliku. Kundër tij votoi Medi Bici. Ky është i vetmi gjyqtar i Gjykatës së Lartë që kaloi vetingun, ndërsa katër të tjerët, që shpallën pronarë Veveçkat, u larguan për mos justifikim pasurie.

Shteti nuk u pajtua me vendimin e Gjykatës së Lartë. Avokatura e Shtetit bëri një tjetër rekurs po në Gjykatën e Lartë për rihapjen e çështjes, duke sjellë prova të falsifikimit të dokumentit të vitit 1946.

Ky është i vetmi dokument i përdorur nga Veveçkat për të marrë pronën shtetërore. Ata pretendonin se me këtë dokument ishin shpallur pronarë nga regjimi komunist në vitin 1946. Ky dokument, që Veveçkat pretendonin se është gjetur në arkivën e Durrësit, nuk ka as firmë as vulë zyrtare.

Avokatura e Shtetit, në fakt, kërkoi hetimin e këtij dokumenti që në kohën kur çështja ishte duke u gjykuar në apelin e Durrësit. Por me justifikimin se apeli e rrëzoi kërkesën e Veveçkave, prokuroria nuk hapi hetime në atë kohë.

Prokuroria hapi, më në fund, një hetim në vitin 2011. Por atëhere dokumenti që gjendej në arkivën e Durrësit, ishte zhdukur dhe kishin mbetur vetëm fotokopje të tij.

Pasi hetoi 4 vjet dhe kreu disa ekspertiza, prokuroria provoi se dokumenti i pretenduar i vitit 1946 ishte fals.

Çështja që lidhet me falsifikimin e dokumentit të ’46 – ës, u shqyrtua në vitin 2018 nga Gjykata e Durrësit.

Gjyqtarja Nurjeta Tafa, me argumentin se prokuroria ka kryer ekspertizën e dokumentit mbi një kopje, megjithëse të marrë me procesverbal të rregullt, u shpreh se nuk mund të merrte parasysh ekspertizat e laboratorit të policisë shkencore, pasi ato ishin kryer mbi fotokopje dhe jo mbi dokumentin e paraqitur nga pretenduesit. Gjyqtarja rrëzoi edhe disa ekspertiza të regjistrit origjinal të shënimit të vendimeve të Gjykatës Durrës të vitit 1946.

Vendimi i Gjyqtares Tafa u ankimua në Apelin e Durrësit nga Avokatura e Shtetit. Në ankimimin e saj, avokatura argumenton se ekspertët e policisë shkencore, Viktor Hajdari dhe Vladimir Ikonomi, kanë deklaruar se fakti që dokumenti ka qenë fotokopje nuk ka ndikuar në kryerjen e akt-ekspertimit dhe nuk ka asnjë dyshim se dokumenti nga i cili është bërë fotokopja është i falsifikuar.

Ekspertët u shprehën gjithashtu se nuk ka asnjë ligj që ndalon ekspertizën e fotokopjeve.

Neni 191 i kodit të procedurës penale thotë:

Lejohet marrja e dokumenteve që përfaqësojnë fakte, persona ose sende nëpërmjet fotografimit, filmimit, fonografimit ose çdo mjeti tjetër. 2. Kur origjinali i një dokumenti është prishur, ka humbur ose është zhdukur, mund të merret kopja. 3. Dokumentet që përbëjnë provë materiale duhet të merren cilidoqoftë personi që i ka krijuar ose që i mban.

Neni 279 i kodit të procedurës civile thotë:

Fotografitë ose fotokopjet e shkresave kanë fuqi të njëjtë me origjinalin, përderisa saktësia e tyre vërtetohet nga personi, që sipas ligjit, është kompetent të nxjerrë kopje.

Boom do të vijoj nesër me publikimin e pjesës tjetër të këtij investigimi.

/Ora News.tv/