BOOM: Çdo shtëpi nga një pus, banorët në Roskovec nuk furnizohen me ujë
Emisioni BOOM ka udhëtuar në Roskovec, aty ku banorët e lagjes "Fushë" kanë një sërë ankesash.
Ata vuajnë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm , mungesën e infrastrukturës rrugore dhe rrjetin e kanalizimeve. Për shkak të kësaj situate, edhe fermerët ndihen të penalizuar.
Si alternativë për tu furnizuar me ujë, ata kanë zgjedhur të hapin puse.

Gratë, teksa mbushin ujë pohojnë se janë të detyruara ta sigurojnë nëpërmjet puseve, madje edhe e konsumojnë atë .
"Këtu te ne është si në mesjetë", tha një banore.
"Mënyrë tjetër nuk ka. Ujë të siguruar nga bashkia nuk kemi", u shpreh një tjetër banore e lagjes.
Edhe në varrezat e fshatit Kurjan, siç pohon një banor, nuk ka ujë.

Një tjetër shqetësim që kanë banorët është edhe mungesa e infrastrukturës. Ata kërkojnë ndërtimin e një ure, e cila do t'u mundësonte kalimin normal nga njëra anë e lagjes në anën tjetër. Gjendja sipas tyre bëhet e vështirë në kohë me reshje shiu.

Kërkesat ata ia drejtojnë bashkisë .
Po ashtu edhe dy nxënëse të vogla si dhe një fermer pohojnë situatën e vështirë.
"Duam ujë, duam rrugë", bëjnë thirrje banorët.
Administratori i Ujësjellësit të Roskovecit pohon faktin se institucioni është në dijeni dhe se kërkesa ka shkuar edhe pranë bashkisë.

"Jemi në pritje të financimit të projektit. Besoj se do jetë shumë afër dita që do fillojmë edhe në këtë lagje", tha Admirant Stani.
Ai u përgjigj edhe për mungesën e ujit në varrezat e Kurjanit.
"Është ngritur edhe ky shqetësim. Këtë problem e kanë edhe njësitë e tjera. Edhe ky problem mund të zgjidhet. Kemi folur edhe me Drejtorinë e Shërbimit Funeral "
Emisioni "Boom" iu drejtua me një kërkesë zyrtare bashkisë së Roskovecit . Në përgjigjen e firmosur nga vetë kryebashkiakja Majlinda Bufi pohohet se këto problematika janë evidentuar pas dy dëgjesave publike të kryera me banorët edhe në këtë lagje.
Reagimi i Bashkisë
Bashkia Roskovec nuk mbulon gjithë sipërfaqen dhe gjithë banorët me rrjet të furnizimit me ujë të pijshëm, problem i mbartur dhe ky problem është bërë i njohur edhe Drejtorisë së Përgjithshme Ujësjellës Kanalizime. Pasi kemi diskutuar me banorët kemi marrë në konsideratë një pjesë të kërkesave të tyre.
Bashkia ka hartuar projektin për furnizimin me ujë të pijshëm të lagjes "Fushë". Bashkia ka hartuar projektin për ndërtimin e urës dhe kanalizimin e ujërave të zeza në lagjen "Fushë".
