Banorët e prekur nga tërmeti në udhëkryq, pas Vitit të Ri duhet të lirojnë hotelet por s’dinë ku të shkojnë
“Mbas vitit të ri duhet të lirojmë hotelin por nuk e dimë ku do të shkojmë.”
Në këtë udhëkryq viti i ri do të gjeje 3613 persona shtëpitë e cilave u dëmtuan nga tërmetit i 26 nëntorit.
Ata janë lajmëruar se duhet të lënë hotelet dhe të gjejnë shtëpi për të futur kokën në mes të dimrit.
Si ndihmë bashkitë u kanë dhënë bonusin e qirasë, që për qytetarët konsiderohet i pamjaftueshëm.
“Ku do shkojmë, ku do marrim dhenë.”
Madje disa prej tyre denoncojnë se çmimet janë rritur abuzivisht.
“Ka shkuar një shtëpi 400 euro qeraja”.
Ata shprehen te kënaqur me trajtimin e deritanishëm, por mbeten të pasigurt për të ardhmen.
“Nuk e dimë ku do shkojmë, nuk jemi aq në qiell dhe as në tokë.”
Vetëm në qarkun e Durrësit janë 3580 objekte të vlerësuara të pabanueshme, pjesa më e madhe shtëpi.
Qeveria është zotuar se të rejat do të kenë përfunduar brenda vitit 2020, por banorët që humbën thuajse gjithçka nga tërmeti i 26 nëntorit mbajnë rezerva.
