Banorët e fshatit Korrë ankohen në “BOOM”: Rrugën që duhet ta përshkojmë për gjysmë ore, e bëjmë për dy orë
Emisioni investigativ “BOOM” solli këtë puntatë shqetësimin e shoferëve të autobuzave për mungesën e infrastrukturës rrugore në fshatin Korrë në afërsi të Elbasanit.
Shoferët e autobusëve dhe furgonëve të linjës Elbasan-Korrë, shprehin shqetësimin për mungesën e standarteve normale të rrugës që duhet të përshkojnë me pasagjerë të fshatit Korrë. Gjithashtu për këtë problematikë shprehen të shqetësuar edhe banorët e Korrës, pasi një rrugë e cila është rreth 30 km përshkohet për një kohë rreth dy orë.

Ajo që është më shqetësuese është problematika kur ndonjë nga banorët e fshatit Korrë ka probleme shëndetësore, si ndonjë rast apendisiti, komplikacione të zorrëve apo lindje. Shoferët e automjeteve që përshkojnë atë rrugë pohojnë se makinat e tyre shërbejnë edhe si ambulancë në shumë raste pasi fshati nuk ka një të tillë.
Qendra shëndetësore që ka nën kujdes banorët e fshatit Korrë ndodhet në Funar, njësi Administrative dhe njëkohësisht është një nga fshatrat që duhet të kalojnë këta banor.
Ata pohojnë se vështirësia më e madhe është stina e dimrit pasi gjatë saj kjo rrugë është gati e pakalueshme, pasi ujrat e shumtë grryejnë rrugët. Në fshatin Korrë gjatë muajve të dimrit bie shumë dëborë dhe temperaturat shkojnë deri në minus 20 gradë. Më e vështirë është për nxënësit dhe prindërit e tyre pasi ju duhet ta përshkojnë çdo ditë atë rrugë.
Një prej shqetësimeve të tyre janë edhe të mbjellat, pasi me ato sigurojnë jetesën. Kryesisht domatja dhe molla janë dy produkte të cilat prodhohen dhe tregëtohen si mënyrë jetese nga këta banor, por infrastruktura dhe vështirësia e rrugës e bën të pamundur.
Banorët i janë drejtuar Njësisë Administrative për shqetësimin e tyre por ende nuk kanë gjetur një zgjidhje.
“Shoferët e autobuzëve dhe furgonave të linjës Elbasan-Korrë denoncojnë se është gati e pamundur të përshkohet ajo rrugë, pasi jemi dhe në stinën e dimrit dhe stina e dimrit në atë fshat është shumë e pabërballueshme, bie shumë dëborë, rrugët zihen komplet dhe ne na duhet që tre muaj të ecim me zinxhira.
Është një situatë mjaft problematike dhe mjaft shqetësuese si për ne por edhe për banorët e fshatit, pasi një rrugë rreth 30 km duhet patjetër rreth dy orë që të mbrrijmë në qytet, përveç këtij problemi gjëja më shqetësuese është një përrua tek i cili mblidhen gjithë ujrat e shirave dhe kur ka reshje të dendura shiu, mbushet dhe del në rrugë, aty na duhet që të kalojmë duke ngritur njëri tjetrin.
Kur ndonjë nga banorët ka nevojë për ndihmë apo shërbim mjekësor, ka pasur shumë raste që ndonjëri nga të sëmurët ka rrezikuar edhe jetën pasi koha për ta sjellë në spitalin e qytetit është shumë e gjatë dhe një komplikacion zorrësh apo një lindje gruaje nuk mund të përballojë.
Ka pasur raste që brenda mjetit femra ka lindur për shkak të kohës së gjatë për ta sjellë në spital. Kemi shprehur me qindra herë shqetësimin e kësaj rruge edhe në njësinë administrative edhe në dëgjesa publike me deputet të zonës por ende asgjë, prandaj ju drejtuam emisionit Boom”.
Një problematikë tjetër që banorët dhe shoferët hasin gjatë rrugës për në fshatin Korrë është dhe një tunel me gjatësi 600m pas asnjë ndriçim. Madje banorët shprehen se edhe gjatë ditës kur kalon përmes tunelit duhet të jesh i pajisur me elektrik dore pasi është në errësirë të plotë.
Makinat duhet të kenë patjetër ndriçim të fortë, e nëse të ndodhë një defekt situata në të cilën gjendesh është një tmerr.
Mjekja e Qëndrës Shëndetësore Funar: Jam mjeke në këtë qendër prej disa vitesh. Korra është një fshat malor dhe si një zonë malore edhe vështirsitë i ka të shumta. Kur kemi raste emergjente të banorve kur kanë një problematikë shëndetësore, ne mundohemi të jemi në gatishmëri, nuk kemi ambulancë por kur bëhet fjalë për raste emergjente lajmërojmë spitalin e Elbasanit dhe ata na nisin ambulancën dhe ndërkohë të sëmurin e sjell një makinë private e cila faturohet nga vetë i sëmuri ose familja.
Për të arritur në kohë dhe pa pësuar gjë pacienti ne përgatisim terrenin duke i ardhur në ndihmë edhe me infermierët të cilët janë të shpërndarë dhe me banim në po atë fshat, gjithmonë kur bëhet fjalë për raste ekstreme, por që ndihma e parë ju jepet nga infermieri sigurisht duke kontaktuar dhe duke marrë udhëzime nga qendra.
Banori 1: Problem i pazgjidhshëm, ne e vuajmë më shumë pasi na duhet të kalojmë çdo ditë në këtë rrugë, makinat duhet të jenë patjetër të larta sepse është e pamundur që të kalosh.

Banori 2: Ne jetojmë me të mbjellat tona dhe të stinës, domatja dhe molla janë dy produkte të cilat janë edhe karakteristikë e zonës. Unë jetojë në fshatin Mollagjesh, fshat 7 km larg fshatit Korrë, por që për 7 kilometra na duhet një orë e 15 minuta për të shkuar në Korrë, për shkak të rrugës. Për ti tregtuar këto produkte na duhet ti trasportojmë për në Elbasan por rruga na e bën trasportin dhe tregtimin të pamundur.
Banori 3: Na duhet një zgjidhje e kësaj problematike, fëmijët e kanë të pa kalueshëm atë përrua aty pasi ai në dimër mbulohet nga uji dhe as ne nuk mund ta kalojmë dot. Kemi parë që janë hedhur disa makina me zhavorr por që ato u shpëlan nga shirat e rrëmbyeshëm.Këtu njerzit e kalojnë përroin duke e marr njëri tjetrin mbi shpinë .
Banori 4: Mjeti im i trasportit është ky kal,me këtë kryej gjithë shërbimet pasi mungesa e një makine të lartë e bënë të pamundur kalimin. Më keq ska ku të shkojë.
Vetë kreu i Njësisë Administrative Funar, Fisnik Bozha, në një bisedë telefonike që pati me të gazetarja e BOOM nuk pranoi të jepte asnjë informacion duke i kërkuar t’i drejtohet bashkisë së Elbasanit.
Kryetari Njësisë Administrative: Çdo kërkesë të lutem çoje te Bashkia, ka zyrë informacioni dhe ata do t`ju japin informacionin e nevojshëm ça ju duhet juve.
Gazetarja: Ju keni dijeni për këtë rrugë?
Kryetari Njësisë Administrative: Unë po ta them shumë qartë! Bëji një kërkesë institucionit dhe do të japi informacionin më shumë për çfarë ju duhet juve. Bashkia ka zyrë informacioni, do ju japi shumë të qartë, të detajuar gjithë informacionin. Një kërkesë tek institucionet dhe do të merrni informacionin e nevojshëm.

