"Babale", Basha: Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor! Kryeministri: Mos bëj kot nevrikun xhan
Urdhër-arresti i lëshuar për dy protagonistët e audiopërgjimit " Babale" ka përplasur në deklarata kreun e opozitës Basha me kryeministrin Edi Rama.
Për Bashën, ky ishte një vendim i pritshëm nga ana e prokurorisë.
Basha: Kush priste dicka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa- Prela është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim.
Menjëherë më pas vjen dhe postimi i dytë ku kryetari i PD-se shkruan se me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor dhe bën thirrje për rrëzimin me çdo mjet të mafias në pushtet.
Basha: Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet.
Pas Bashës, Rama duke shmangur një replikë të drejtëpërdrejtë me kryedemokratin, tha se ky është fillimi i drejtësisë.
Rama: Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi,jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë!Pas mjeranëve të paguar për t'u përgjuar,qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund.
Por pas më shumë se dy orësh, shefi i qeverisë barazon shefin e opozitës me cicërima në Tëitter, duke i kërkuar të qetësohet dhe më të mos bëj nevrikun.
Rama: Qetësohu Lulëzim! Mos bëj nevrikun kot xhan se s'ta ka fajin askush që e bëre Shqupin Kinostudio.Tani fli deri pasnesër kur të kem ca të reja për ty e për tërë lehaqeniet e klubeve politike e mediatike, që siç dhunuan 10 ditë rresht një vajzë dhunojnë përditë publikun shqiptar.
Sot Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë "arrest me burg për Albert Veliun, personi i njohur si "personazhi X' në audiopërgjimin e publikuar nga PD, për të cilën demokratët e quanin provë se vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj vijonte trafikun e drogës drejt Italisë.
Albert Veliu i cili njihet dhe me pseudonimin "Babale" akuzohet për 'kallzim të rremë në bashkëpunim" dhe "kalim të paligjshëm të kufirit".
Prokuroria i kërkoi sot gjykatës vlerësimin e masës së sigurisë, ndërsa mësohet se vendimet i janë dorëzuar policisë për tu ekzekutuar.
Gjithashtu është kërkuar "Detyrim me paraqitje" për gazetarin Jetmir Olldashi i cili dorëzoi videon PD.
Arrest me burg do kërkohet dhe për Fredi Alizotin mbi të cilin rëndon akuza e Kallzimit të rremë. Ai është kunati i Veliut dhe mësohet të jetë personi që në disa raste dublon në videopërgjim Agron Xhafajn në përgjigjet që i jep dëshmitarit X.
