Babai ju vrau nënën dhe tezen në Ballsh, dy fëmijët dërgohen në fshatin SOS
Fshati SOS është bërë strehëza e parë për fëmijët e familjes Musta, të moshës 6 dhe 10 vjeç, të cilët për fat të keq ishin dëshmitarë të një ngjarjeje të rëndë, vrasjen e nënës dhe tezes së tyre nga babai Gazmend Musta. Që pas kësaj tragjedie fëmijët ndodhen në fshatin SOS në Tiranë, në gjendje të tronditur.
Teuta Shkenza: Fëmijët kanë nja 3-4 ditë që janë në fshatin e fëmijëve SOS dhe sigurisht për situatën që kanë kaluar, mqs kanë qenë prezent janë shumë të tronditur nga ana psikologjike. Mbështetja e parë që ne po i japim aktualisht është nëpërmjet psikologut të organizatës, i cili punon me orë të zgjatura.
Drejtoresha e fshatit SOS, Teuta Shkenza tha se po punohet që fëmijët të gjejnë ngrohtësinë e familjes, por edhe të shkollohen.
Teuta Shkenza: Kemi bërë regjistrimin e fëmijëve në kopësht dhe shkollë, kështu që këto ditë sa të kalojnë këtë traumë, shpresoj që të shkojnë e të ndjekin shkollën e kopështin.
Dy fëmijët e familjes Musta do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e gjyqit për kujdestarinë. Në fshatin SOS ndodhen 62 fëmijë të grupmoshave të ndryshme, të cilët jetojnë në 13 shtëpizat me një kujdes të veçantë.
