Ish-drejtori i burgjeve, Artur Zoto dënohet me 5 vite burg
Pas një viti hetimi dhe gjykimi, ish-drejtori i Burgjeve, Artur Zoto, është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vite burg. Zoto u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit, akuzë kjo që u ngrit pas dëshmisë së ish-vartësit të tij, Iljaz Labi, i cili ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 5 vite burg ish-kreun e Burgjeve, Artur Zoto.
Vendimi u shpall në mesditë nga togat e zeza, të cilët kanë aprovuar kërkesën e prokurorisë.
Më heret avokati i ish-kreut të Burgjeve, Ardian Leka, kërkoi pafajësi për klientin e tij.
Ai tha para gjykatës së nuk vërtetohet akuza e korrupsionit në bashkëpunim për ish-kreun e burgjeve.
Sipas avokatit, në asnjë rast prokuroria nuk ka vërtetuar se Zoto ka bashkëpunuar me ish-vartësin e tij Iljaz Labin, i cili ka tashmë statusin bashkëpunëtorit të drejtësisë.
"Në përgjime del se Iljaz Labi nuk ka pasur asnjë komunikim me Zoton", shprehet avokat Ardian Leka.
Zoto u arrestua rreth një vit më parë pas bashkëpunimit të Iljaz Labit me prokurorinë.
Ky i fundit tregoi se Zoto përfitonte 20 milionë lekë nga biznesmenët që merrnin pjesë në tenderat e ushqimit.
Pas vendimit avokati mbrojtës i tij u shpreh se do ta apelojë vendimin.
