Atentati ndaj ish-komisarit, flet babai i Agim Dakës: Jemi pajtuar me Kanun

Atentati ndaj ish-komisarit, flet babai i Agim Dakës: Jemi pajtuar me Kanun

"Nuk kemi lidhje me vrasjen e komisar Artan Cukut. E kemi mbyllur çështjen dhe jemi pajtuar sipas kanunit”. Kjo është deklarata e Prelë Dakës, babait të Agim Dakës,  të riut që është vetëvrarë në zyrën e Artan Cukut disa vjet më parë.

Babai i Agim Dakës, ka folur sot për herë të parë në lidhje me ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, duke mohuar të kenë gisht në vrasjen e tij. Edhe bashkëshortja e moshuar pohon gjithashtu se me komisarin kanë bërë pajtimit shumë kohë më parë.

Prelë Daka: Djali jem është vra në zyrën e tij, me pistoletën e tij. Thonë se i ka marrë pistoletën shefit të krimeve dhe ka qëlluar veten. Unë nuk e besoj. E dyta, ne i kemi mbyll tëra ato hesape. Kanë ardhur dhe më kanë bërë be sipas zakonit që kemi pas. Jemi pajtu me ta dhe nuk kemi asgjë me shtetin. Ka rreth 12 vite që është mbyllur kjo histori.

E moshuara: E kena mbyll prej 12 vjet. Jena pajtu me atë familje. Ne nuk kemi asgjë të keqe me ta dhe as ata nuk kanë me ne. Kanë ardh dhe kanë ba be dhe është mbyll.

Ndërkohë që dy djemtë e Prelë dhe Bardhe Dakës, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen e ish-kryepolicit, Artan Cuku janë lënë të lirë. Ata ishin shoqëruar prej ditës së shtunë,  kur atentati, pasi dyshoheshin nga pista hetimore e gjakmarrjes.

Edhe vëllezërit Agim Dakës që u vetëvra në vitin 2005 në komisariatin nr 4 ku Cuku ishte kryekomisar,  kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen duke pretenduar se çështjen e vëllait e kanë sqaruar vite më parë.

/Ora News/

 

EMISIONET