Ali Ahmeti: Kriza politike mund të zvarritet deri në katër vite
Në kushtet kur Maqedonia vijon të mbetet në një ngërç politik, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka paralajmëruar se kriza mund të zvarritet deri në katër vite. Ai shton se rrugëdalja mund të gjendet vetëm me konsensus, ndërsa thekson rëndësinë e mos krijimit të konflikteve ndëretnike për qëllime elektorale të disa partive të caktuara. Ndërkohë, Kryeministri i qeverisë teknike, Emil Dimitriev, ka përkrahur së fundmi kërkesat e Nikolla Gruevskit për dërgimin e vendit sërish në zgjedhje.
Në një intervistë për Agjensinë mediatike Reuters, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka paralajmëruar se kriza në Maqedoni mund të zvarritet deri në katër vite dhe mund të përdoret nga politikanë të caktuar për të nxitur konflikte etnike për qëllime elektorale.
Ahmeti nënvizon se palët duhet të tregojnë kujdes ndaj këtij skenari, i cili sipas tij, nuk bën gjë tjetër veçse thellon ngërçin në të cilin gjendet vendi.
Ali Ahmeti: “Kjo është një krizë politike e cila duhet të zgjidhet përmes mjeteve politike dhe nuk duhet të kthehet në një problem ndëretnik për qëllimet elektorale të partive të ndryshme. Në rast se nuk do të ketë një zgjidhje, bllokada që ka pllakosur vendin mund të zgjatet deri në katër vite.”
Aktualisht, situata në Maqedoni vijon të mbetet e paqartë për shkak të vakumit ligjor që ka Kushtetuta e vendit.
Akti themeltar i këtij shteti nuk e ka të përcaktuar qartë se çfarë ndodh kur Presidenti refuzon t’i japë mandatin një kandidati që provon se është i aftë për të formuar shumicën parlamentare.
Gjithashtu, edhe afatet për formimin e qeverisë nuk janë të parashikuara qartë në nenet kushtetuese, gjë që ka lejuar hapësira për zvarritjen e kësaj çështje.
Në kushtet kur nuk arriti të formojë shumicën, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ka kërkuar dërgimin e vendit sërish në zgjedhje.
Diçka e tillë është përkrahur së fundmi edhe kryeministri aktual i qeverisë teknike, Emil Dimitriev.
Ky i fundit është shprehur se në këto kushte, rrugëdalja e vetme është zhvillimi i një tjetër proçesi elektoral.
/Oranews.tv /
