Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i kërkon kohë Rudina Hajdarit për mbledhjen e radhës, në mënyrën që edhe opozita jashtëparlamentare të paraqesë propozimet e saj për kodin zgjedhor.

Hajdari kërkoi mbledhjen e Këshillit të martën, ndërsa ka dorëzuar edhe propozime konkrete për hapjen e listave që lidhen me faktin se kandidatët në listë duhet të renditen sipas një rendi alfabetik dhe jo numerik.

Gjiknuri e falenderon që ju përgjigj pozitivisht thirrjes për të kontribuar në mënyrë aktive, me propozime konkrete dhe e fton që të depozitojë një kopjo të propozimeve në Komisioonin e Ligjeve.

“Mbetemi në pritje që opozita jashtëparlamentare të depozitojë në Këshillin Politik ose në Kuvendin e Shqipërisë propozimet konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor në zbatim të ndryshimeve Kushtetuese të 30 Korrikut” përfundon Gjiknuri.

Letra e plotë

E nderuar zonja Hajdari,

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik, Partia Socialiste depozitoi amendamentet e saja për ndryshimet në Kodin Zgjedhor si reflektim i ndryshimeve Kushtetuese të hyra tashmë në fuqi. Amendamente që në gjykimin tonë garantojnë plotësisht parimet kushtetuese për hapjen 100% të listave ashtu sikurse sigurojnë të drejtën e çdo qytetari për të vlerësuar nominalisht me votë preferenciale secilin kandidat e më tej duke ri rënditur listën përpara ndarjes përfundimtare të mandateve. Gjithësesi, duke konfirmuar se jemi plotësisht të gatshëm të diskutojmë rreth propozimeve tona me synim arritjen e një produkti me konsensus sa më të gjërë, në cilësinë e përfaqësuesit të mazhorancës kërkova nga përfaqësuesit e tjerë të Këshillit Politik që të sjellin opinionin në raport me draftin tonë ose propozime alternative.

Gjej rastin të ju falenderoj që Ju zonja Hajdari ju përgjigjet pozitivisht thirrjes për të kontribuar në mënyrë aktive, me propozime konkrete. Duke qenë se Këshilli Politik u krijua si strukturë ekstra-parlamentare, me synim primar përfshirjen e kontributit të opozitës jashtëparlamentare në procesin e reformës zgjedhore, do kërkoja mirëkuptimin tuaj për ti dhënë kohën e nevojshme edhe përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare që të paraqesin dhe ata propozimet e tyre konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor. Duke patur kontributin konkret me drafte nga të gjitha palët në Këshill, mund të kryejmë më pas procesin e negocimit në këtë strukturë ekstra-parlamentare, për një produkt me konsensus sa më të gjërë të mundshëm.

Në rast se opozita jashtëparlamentare, brenda afateve që na ka caktuar Kuvendi, do të vazhdojë të refuzojë ftesën për të dhënë kontributin e saj me amendamente konkrete të Kodit Zgjedhor, Ju si opozitë parlamentare keni gjithësesi të drejtat dhe hapësirat e plota ligjore për ti bërë amendamentet tuaja pjesë të diskutimit që do duhet të zhvillohet padiskutim në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe grupin përkatës të punës ku përfaqësohet si mazhoranca ashtu edhe minoranca në Kuvend.

Duke ju ftuar të depozitoni një kopjo të propozimeve tuaja zyrtarisht edhe pranë Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, mbetemi në pritje që opozita jashtëparlamentare të depozitojë në Këshillin Politik ose në Kuvendin e Shqipërisë propozimet konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor në zbatim të ndryshimeve Kushtetuese të 30 Korrikut.

Faleminderit,

Damian Gjiknuri

Përfaqësues i Partisë Socialiste