VIDEO/ Edhe Shpiragu po digjet, zjarr i madh në mal, flakët drejt zonës së banuar
Një zjarr masiv përfshiu pasditen e djeshme zonën malore të Shpiragut. Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, janë përhapur me shpejtësi në drejtim të fshatit Mishovë dhe më pas drejt malit Shpirag, duke marrë përmasa shqetësuese.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe ferra, dhe aktualisht po avancon drejt ullishteve dhe zonave të banuara në fshatin Galinë.
Banesat në këtë fshat janë nën rrezik, çka ka sjellë mobilizimin e forcave zjarrfikëse, njësive ushtarake dhe helikopterëve të ushtrisë.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, ndërhyrja për shuarjen e zjarrit po kryhet me mjete rrethanore, duke e bërë operacionin shumë të vështirë.
Autoritetet lokale janë në gatishmëri të lartë dhe kanë kërkuar mbështetje shtesë nga ajri për të ndalur përparimin e flakëve.
Për momentin, situata mbetet kritike, ndërsa përpjekjet për shuarjen e zjarrit po vazhdojnë me intensitet të lartë për të shmangur një katastrofë të mundshme.


