Skenare me pendito në SPAK/ “Çapaçuli” gënjeu hetuesit, i tregoi policisë 4 emrat që i kishte mësuar Nuredin Dumani
Rrëfimi ndryshe në gjykatë i Klevis Allës, i cili është ndër personat e parë të shpallur bashkëpunëtorë të SPAK dhe që tashmë gëzon statusin e të penduarit, ka sjellë jo pak probleme proçeduriale për prokurorinë, por dhe vetë pozitën e besueshmërisë së dëshmitarëve.
Në seancën gjyqësore të dy ditëve më parë, e cila u zhvillua lidhur me ngjarjen e vrasjes së dy vëllezërve Haxhiaj në Durrës dhe dy personave të tjerë Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza, i penduari Klevis Alla, përjashtoi nga pjesëmarja në vrasje, 4 të pandehurit e këtij procesi për të cilët SPAK ka ngrituar akuza të rënda.
Alla, përjashtoi si pjesëmarrës në 4 vrasjet të nominuarit kryesor të tij, Talo Çelën, e duke vijuar më pas me Altin Ndocin, Besjan Xhixhën dhe Enver Divën.
I penduari i prokurorisë, pranoi se ka gënjyer përpara prokurorëve të SPAK, duke përfshirë 4 emra të tjerë, si autorë të vrasjeve në Durrës.
Pas kësaj dëshmie, SPAK ndodhet në një situatë të paprecedentë dhe se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për një situatë të tillë.
Pasi së pari SPAK ka pranuar të bëhet vegël e një personi të arrestuar, duke i marë të mirëqëna deklarimet e tij.
Së dyti, SPAK është në diskutim për ndryshimin e akuzave për 4 personat e procedur dhe që ka shumë mundësi në ditët në vijim, aktet hetimore për Talo Çelën dhe Altin Ndocin, të tërhiqen mbrapsht.
Së treti, SPAK duke marrë të mirëqëna deklarimet e pavërtata të Allës, përmes të cilave realizoi arrestimin e 4 personave, vuri në pikëpyetje punën hulumtuese të prokurorëve.
Qëndrim i sinqertë përballë gjykatës i Klevis Allës, vjen 3 vite nga dëshmia e parë e tij e dhënë në polici dhe nga ndodhja e arrestimeve, ku sot e kësaj dite të nominuarit e Allës vijojnë të mbahen në burg.
Tashmë pas kësaj dëshmie del qartë se SPAK, përmes një mashtrimi të Allës, ka përndjekur me akuza të rënda persona me precedentë penalë, por që realisht në këto dy ngjarje me 4 viktima të ndodhura në Durrës nuk kanë qënë protagonistë.
Ky fakt për mospjesëmarje e Talo Çelës, Altin Ndocit, Besjan Xhixha dhe Enver Diva, në vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdia, provohet jo vetëm nga dëshmia e Klevis Allës, por edhe në dëshmitë që kanë pohuar dy vetë më pas protagonistët Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.
Por sigurisht që del qartë se Klevis Alla, para se të arrestohej nga policia e Durrësit është mësuar nga dikush tjetër, se çfarë duhet të tregonte në polici, rreth bashkëpunëtorëve të tij në vrasje.
Personi i fundit që Alla ka takuar vetëm pak minuta para se të arrestohej nga policia ka qënë pikërisht Nuredin Dumani, një i penduar ky që SPAK e cilëson shumë të rëndësishëm.
Alla shprehet se kur është telefonuar nga punonjësi i policisë së zonës, për tu paraqitur në polici, ai kishte takuar Nuredin Dumanin dhe kanë biseduar së bashku.
Ka mjaft indicie të forta se Dumani që sot gëzon statusin e bashkëpuntorit të prokurorisë SPAK, është njeriu që ka krijuar skenarin për implikimin në vrasjen e katërfishtë të hasmit të tij Talo Çela, Enver Diva, Besjan Xhixha dhe Altin Ndoci.
Qëllimi i Dumanit, ka qënë i qartë. Nxjerja e kundërshtarëve të tij në një front të ri luftimi, duke pasur përballë organet ligjzbatuese, Policinë dhe Prokurorinë.
Dhe skenarin e ka vënë në zbatim përmes Klevis Allës, të cilit për shkak të moshës së vogël i thërrisnin “Çapaçul”.
Në muajin maj 2020, Dumani ishte vënë në dijeni për identifikimin nga policia të Klevis Allës si pjesëmarës në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj. Përmes kërcënimeve dhe premtimeve se do e ndihmonte, Nuredin Dumani, në takimin e fundit që ka pasur me Allën, ka orientuar këtë të fundit lidhur me 4 emrat që duhet të tregonte në polici.
Talo Çela, Altin Ndoci, janë kundërshtarë të betuar të Nuredin Dumanit dhe kanë qënë në listën e tij për tu ekzekutuar. Problemet ndaj këtyre dy personave nisën menjëherë pas dëshmisë së dhënë 3 vite më parë nga Klevis Alla.
Alla, është orientuar nga Nuredin Dumani dhe ky i fundit nga persona të tjerë në Elbasan, me të cilët bashkëpuntonte dhe bënte plane për vrasje me pagesë.
Por kur dyshohet se Klevis Alla është orientuar nga Nuredin Dumani për të akuzuar kundërshtarët e tij, por për dëshminë e vetë Dumanit që ka dhënë në SPAK a lindin pikëpyetje për besueshmërinë e saj?
Në 3 nga katër rrëfimet që ka dhënë Klevis Alla nga muaji Prill 2020 e deri në dëshminë e vitit të kaluar, ai akuzon në mënyrë të përsëritur se autorë të vrasjes së vëllezërve Haxhiaj, Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdia, kanë qenë ai vetë, Altin Ndoci dhe Talo Çela.
Alla tregon se në të dyja rastet ai ka qënë në dijeni të vrasjes dhe protagonist. Madje tek rasti i ekzekutimit të vëllezërve Haxhiaj, ai thotë se ishte shofer i makinës “Toyota”.
Nga ana tjetër në dëshminë që vetë Nuredin Dumani, ka dhënë para prokurorëve dhe ku tregon vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, ai rrëfen se vrasjen e tyre e kishte bërë ai vetë së bashku me Henrik Hoxhaj dhe Klevis Allën, të cilën i thërrisnin “Çapaçul”.
Një fakt të tillë e tregon dhe bashkëpunëtori i tretë i kësaj dosje, Henrik Hoxhaj, duke shmangur nga pjesëmarrja në krim dhe përgjegjësia penale Talo Çelën, Besjan Xhixhën, Enver Divën dhe Altin Ndocin.
Sipas Dumanit, në vrasjen Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë të kryer në datën 2 mars 2020, janë të përfshirë Arjan Spahija (i vrarë në Belgjikë), Erjon Alibej, Eljo Bitri, Henrik Hoxhaj, Nuredin Dumani, Klevis Alla dhe Asllan Plaku.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.