Shmanget polici, formulari i ri që marrin shoferët: Si do të veprohet në rastet e aksidenteve të lehta

Çdo drejtues mjeti që kryen një aksident me dëm që nuk e kalon vlerën e 30 mijë lekëve nuk do të njoftojë më policinë por do ta zgjidhi konfliktin me palën tjetër përmes marrëveshjes.

Kjo është bërë e ditur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili njoftoi se në zbatim të ligjit të ri, do të plotësohet dokumenti ‘Raporti evropian i aksidenteve’ për dëmshpërblimin e shpejtë nga shoqëria e sigurimit.
Ky raport i nënshkruar nga të dy drejtuesit e mjeteve nënkupton që aksidenti ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular.

Pas procesit të konsultimit formulari do të miratohet nga Bordi i Autoritetit.


Pas nënshkrimit raporti i bashkëngjitet kërkesës për dëmshpërblim, e cila sipas ndryshimeve ligjore tashmë, duke nisur nga 1 korriku, nuk do të trajtohet brenda 30 ditëve, por për 14 ditë kalendarike nga data kur është paraqitur dokumentacioni.

Sipas të dhënave zyrtare nga shoqëritë e sigurimit, rreth 30-35% e dëmeve në rastet e aksidenteve rrugore janë në vlera të vogla.

Ka raste që një pjesë e drejtuesve të mjeteve të përfshira në aksident, për të shmangur procedurat burokratike, apo gjobën e policisë, në rastin e dëmeve të vogla materiale në mjetet e tyre, nuk e raportojnë fare aksidentin dhe nuk bëjnë kërkesë për dëmshpërblim te shoqëria e sigurimit, por e zgjidhin midis tyre.

EMISIONET