Pas përballjes së gjeneralëve/ SPAK vendos në sekuestro preventive bazën ushtarake në Sarandë
SPAK ka vënë nën sekuestro preventive bazën detare në Sarandë në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e pronave të ushtrisë. Veprimet pasuan marrjen në pyetje të ish-shefit të Shtabit, aktualisht deputet i PS, Bardhyl Kollçaku, dhe denoncuesin e aferave të pretenduara ish- zëvendëskomandantin e Forcave Detare, Artur Meçollari.
Baza detare e Limionit në Sarandë është vendosur nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur në kuadër të verifikimeve për akuzat e tjetërsimit të pronave të ushtrisë.
Ky veprim i SPAK vjen pas një kallëzimi të depozituar nga ish-zëvendës shefi i Forcave Detare, Artur Meçollari, i cili fliste për privatizimin e pronave të ushtrisë dhe synon ndalimin e tjetërsimit të pronës.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputet i PS, Bardhyl Kollçaku, u mor në pyetje për gati tre orë në SPAK në kuadër të hetimeve për këtë denoncim.
Kur u la i lirë, ai nuk foli për mediat, duke u justifikuar se nuk mund të prishte sekretin hetimor.
Ndërsa deoncuesi Artur Meçollari kur la prokurorinë tregoi se është pyetur në cilësinë e kallëzuesit për prizatizimin e portit të Sarandës.
Sipas tij me urdhër të tre personave, pronat i janë dhënë privatit pa lënë asnjë gjë për ushtrinë.
Ish-zv.komandanti i Forcave Detare në 2021, ka bërë dy kallëzime në SPAK për pronat ushtrisë në Bazën e Limionit në Sarandë, prej më shumë se 150 mijë m2, dhe një godinë të ngritur në Bazën Detare të Shëngjinit.
Për të parën, ai ka paditur koncesionin për 99 vjet, për vetëm një euro në vit m2, nga dy kompani private.
Ndërkohë në Shëngjin denoncimi lidhet për një ndërtesë të ngritur pa leje.