“Metamorfoza” në GJKKO/ “Jam një i vd*kur që ecën!” - Pëllumb Gjoka para gjykatës: Më keni futur në hasmëri

Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca gjyqësore ku biznesmeni Pëllumb Gjoka ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me çështjen e vrasjes së Gjin Ndojit.
Gjoka, i cili akuzohet për përfshirje në organizimin e ngjarjes kriminale, ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij, duke deklaruar para trupit gjykues se po gjykohet mbi baza që ai i cilëson si “thashetheme dhe perceptime publike”, dhe jo prova konkrete.
Ai u shpreh se është i padrejtë ndjekja penale ndaj tij dhe se prej tre vitesh ndodhet në paraburgim pa një bazë të fortë provuese.
“Jam de facto i dënuar sepse më është bërë një gjyq publik”, tha Gjoka gjatë deklarimeve të tij.
“Siç e dini, akuzohem për vrasjen e Gjin Ndojit. Akuzohem se kam gjetur vendin ku do rrinte makina dhe se kam çuar e marrë vrasësit. Kushdo që ka organizuar, marrë pjesë, folur një herë të vetme që të vritet, kushdo që ka gjetur vendin e makinës ka bërë një veprim kriminal. Por më kriminale është ngritja e akuzës ndaj meje. Herën e kaluar më pyetër a jam i dënuar. Unë de facto jam dënuat, se më është bërë një gjyq publik. Çfarë nuk kam dëgjuar. Më kanë akuzuar për trafik, për vrasje, çfarë epitetesh kam dëgjuar. Gjyqet publike nuk janë për të zbardhur të vërtetën. Gjyqet publike bëhen për t’u bërë presion gjyqtarëve. Gjithë këtë histori e kanë bërë për shkëmbime favoresh.
Unë kam 30 vjet që merrem me biznes. Bizneset kryesore i kam pasur lokalet e natës dhe lojërat e fatit. Janë biznese që paragjykohen. Unë jam munduar të jem i kujdesshëm, të shtrij këmbët sa kam jorganin. Për këtë jam habitur, nuk di ku kam shkelur. Kam 3 vjet në paraburgim e nuk di çfarë kam bërë. Në hasmëri më kanë futur, aktivitetin ma kanë bllokuar. Në burg je një i vdekur që ecën. Me thashetheme e me lehtësi me të futur në burg e në hasmëri, nuk e di.
Janë shumë familje të ngujuara edhe unë ju garantoj, që historia që kanë nisur këta, do vazhdojë”, tha ai.
Sipas tij, akuza përfshin pretendime se ai ka ndihmuar në gjetjen e vendit të makinës së përdorur në vrasje dhe në organizimin e autorëve, por këto, ai i konsideron të pavërteta dhe të pambështetura në prova shkencore apo materiale.
Gjoka akuzoi prokurorinë për presion dhe për ndërtim të një procesi të padrejtë, duke pretenduar se hetimet janë bazuar në materiale të paqarta, përfshirë edhe komunikime të përmendura si të platformës “Sky”, të cilat sipas tij nuk provojnë identitetin apo përfshirjen e tij.
Ai theksoi gjithashtu se në kontrollin e ushtruar në banesën e tij, policia nuk ka gjetur armë apo prova të tjera që e lidhin me ngjarjen.
“Nuk ka asnjë provë shkencore që më lidh me akuzat,” u shpreh ai, duke shtuar se edhe identifikimi i pretenduar në komunikime të ndryshme është i pasaktë.
Ai deklaroi se nuk ka konflikte me personat e përmendur në dosje dhe se shumë nga elementët e hetimit, sipas tij, janë interpretime të gabuara të materialeve të përgjimeve.
“Për përgatitjen e kushteve për të vrarë Genc Tafilin, nuk ka asnjë bisedë, asnjë komunikim. Unë nuk kam asnjë konflikt me ta. Për Ibrahim Licin e Dorian Dulin janë thasheme SKY.
Për Kleathi Musabelli është e vërtetë që kam pasur një konflikt me të. Shkojmë tek arma. Policët në shtëpi më gjetën veç një çifte me letra. Të të vijnë policët në shtëpi edhe për thashetheme të më fusin në burg, të fortë janë. Tani të di, për çfarë arme jam në burg, se nuk e di. Për grupin kriminal e sqaroi avokati. Nëse kam qenë, të di me kë kam qenë.
Nëse ka një komunikim mes kodit që prokurori thotë që kam pasur unë dhe atij që thotë se ka pasur Behar Bajri, ku flitet për vrasjen e Gjin Ndojit, pranoj çdo lloj akuze. Nëse ka ndonjë bisedë se ku do të rrijë makina e vrasësve, unë pranoj çdo lloj akuze”, është shprehur ai.”, përfundon ai.


