DETAJE NGA GRABITJA NË KAMËZ/ Dy të maskuar me motor marrin 7 milionë lekë në vetëm 1 minutë
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar grabitjen e një argjendarie në Kamëz, e cila ka zgjatur vetëm rreth një minutë.
Sipas pamjeve, dy persona të maskuar kanë mbërritur me motor, njëri prej tyre i armatosur me automatik.
Njëri ka qëndruar jashtë duke ruajtur, ndërsa tjetri ka hyrë brenda në dyqan dhe ka marrë sende ari e argjendi nën kërcënim.
Gjatë largimit, ata janë rrëzuar për pak çaste me motor, por më pas kanë vijuar arratisjen.
Policia ka arritur të ndjekë lëvizjet e tyre përmes kamerave të sigurisë deri në zonën e Zallherrit, por pa mundur t’i identifikojë, pasi kanë qenë të maskuar gjatë gjithë kohës.
Në kuadër të hetimeve, policia ka shoqëruar disa persona me precedentë penalë në zonë për verifikim, por më pas janë lënë të lirë pasi nuk janë gjetur prova që i lidhin me ngjarjen.
Nga vlerësimet paraprake, dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 7 milionë lekë të vjetra.
Sipas punonjëses së dyqanit, ajo nuk ka pasur kontakt me autorët në momentin e grabitjes, pasi ndodhej në pjesën e pasme të ambientit.


