Bashkia Tiranë shpall 6 tendera me vlerë 6.6 mln euro për rrugët në kohë fushate

Pas 8 vitesh në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kujtohet për rehabilitimin e rrugëve të kryeqytetit. Kjo pasi në vetëm 2 ditë, Bashkia e Tiranës ka hapur edhe 6 tendera për riparimin e disa rrugëve dhe pritet të shpenzohen 6.6 milionë euro.

Pas 8 vitesh në krye të bashkisë së Tiranës, ku mandatin e dytë e mori pa asnjë konkurrent, Erion Veliaj, kujtohet që të riparojë rrugët e kryeqytetit, kur na ndajnë më pak se 5 muaj nga zgjedhjet.

Vetëm në datën 19 dhe 20 dhjetor ky institucion ka shpallur edhe 6 tendera të tjerë për rehabilitimin e 16 rrugëve dhe një ure, ku në total parashikon të shpenzojë 6.6 milionë euro.

Procedura e parë ka si objekt rikualifikimin e bllokut që kufizohet nga rrugët “Teodor Keko”, “Tom Plezha”, “Mikel Maruli” dhe “Loni Ligor”, ku janë planifikuar të shpenzohen 2.7 milionë euro, ndërsa punimet do të duhet të përfundojnë brenda dy muajve që nga nënshkrimi i kontratës.

Tenderi i dytë ka si qëllim rikualifikimin e bllokut që kufizohet nga rrugët “Liman Kaba”, “Prokop Mima”, “Robert Shvarc” dhe “Skënder Luarasi” dhe ku janë parashikuar të shpenzohen 1.1 milionë euro.

Ndërhyrje është planifikuar edhe në bllokun që degëzohet nga rrugët “Nikoll Mekjashi”, “Shyqyri Basha”, “Kostandin Shpataraku”, “Minella Karajani” dhe “Bajazit Shehu”.

Edhe në këtë tender do të shpenzohen 1 milionë euro.

Gjithashtu në 3 prokurimet e tjera Bashkia Tiranë ka planifikuar ndërtimin e rrugëve tek lagja e re Shkozë, ndërtimin e rrugëve “Xhon Belushi” dhe “Thoma Filipeu” si dhe ndërtimin e një ure në lagjen "Fezaj" në njësinë administrative Zall Bastar.

Për ndërhyrjen në këto rrugë në total do të shpenzohen 1.6 milionë euro.

Procedurat për rehabilitimin e disa rrugëve të kryeqytetit kanë qenë të shumtë në javët e fundit.

Ndërsa në pjesën më të madhe të tyre, koha e përfundimit të punimeve përkon me muajin, kur do zhvillohen edhe zgjedhjet vendore.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET