Zbardhet plagosja në Mamurras, polici qëlloi dy kolegët dhe një prej vëllezërve Fufi pas konfliktit

Një efektiv i policisë së shtetit plagosi dy kolegë dhe një qytetar në Mamurras në një ngjarje që rrezikoi të prodhonte një tragjedi me armë shteti.

Ai sipas burimeve ishte në shërbim kur bashkë me kolegët Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj u përfshinë në një konflikt me disa persona që udhëtonin në një makinë të cilën ndaluan për kontroll.

Nikoll Vorfi ka dalë nga mjeti dhe është konfliktuar me efektivët e Policisë.Në këto kushte, polici, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar disa herë.

Plumbat kanë prekur dy kolegët Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj dhe Nikoll Vorfin, një nga personat e përfshirë në debat.

Ata morën ndihmën e parë në spitalin e Lezhës dhe më pas u sollën në Tiranë për mjekim të specializuar

Ngjarja në mes të zonës së banuar shkaktoi panik në qytet ndësa plumbat rrezikuan të shkaktojnë viktima të pafajshme.

Nikoll Vorfi me gjasë pritet të vihet në pranga në Spitalin e Traumës, ndërsa burime policore bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, të afërm të ish-deputetit Mhill Fufi.

Në Mamurras zbarkuan forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Ekspertët kryen veprimet në vendngjarje, ndërsa forcat speciale ngritën postblloqe e ushtruan kontrolle në kërkim të autorëve.

Policia thotë se ngjarja e paprecedentë në vitet e fundit po hetohet edhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme.

Ora 16:52 Policia zbardh plagosjen e trefishtë në Mamurras

"Rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.

Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje.

Informacion më të detajuar do të japë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në përfundim të veprimeve të para hetimore".

Ora 16: 21 Ora News mëson detaje të reja lidhur me përplasjen e ndodhur sot në mesditë në qendër të Mamurrasit ku mbetën të plagosur 2 policë dhe një person i tretë.

Burime nga Ora News bëjnë me dije se autorët e plagosjes janë kushërinjtë e dytë të ish deputetit Mhill Fufi.

Ata janë identifikuar si vëllezërit Gentian Fufi, Besmir Fufi alias Gjoni dhe Rudolf Fufi.

Ora 16:20 Autorët u larguan me një mjet "Audi"  

Autorët e plagosjes janë larguar me një automjet tip "Audi" nga vendi i ngjarjes, ndërsa të dhënat e mjetit së bashku me makinën u janë shpërndarë të gjitha pikave të policisë jo vetëm në Mamurras por dhe qytete të tjera për të bërë ndalimin e tyre,

Ishin shoqëruar në polici në mëngjes
Ora News mëson se ata ishin shoqëruar në polici mëngjesin e sotëm dhe më pas ishin liruar.

I plagosur dhe autori

I plagosur ka mbetur njëri prej autorëve, Nikoll Vorfi alias Nikoll Fufi. Fillimisht u dyshua se i plagosur kishte mbetur një qytetar por më pas u mësua se ishte njëri prej autorëve.

14: 21 EMRAT/ Të shtëna me armë zjarri në Mamurras, plagosen dy policë dhe një qytetar
Sipas gazetarit të Ora News Elvis Hila, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, janë punonjësit e Patrullës së Policisë që kanë mbetur të plagosur, ndërsa qytetari është identifikuar si Nikoll Vorfi, raporton Ora News.

Burime për Ora News shprehen se, policët kanë marrë plagë në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Lezhës.

Drejt Mamurrasit janë nisur grupe të FNSH Shkodër si dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj. Ndërsa janë ngritur disa pika kontrolli.

Ndërkohë nuk ka ende asnjë informacion paraprak nga Policia e Shtetit për ngjarjen.

EMISIONET