Si arrin Liverpool-i të investojë fuqishëm pa shkelur rregullat e Fair Play-t Financiar të UEFA-s

Si arrin Liverpool-i të investojë fuqishëm pa shkelur rregullat e

Liverpooli ka qenë një nga klubet më aktive dhe surprizuese në këtë merkato vere.

Nën drejtimin e trajnerit të ri Arne Slot, kampionët në fuqi të Premier League-s kanë investuar mbi 300 milionë euro për të afruar emra të mëdhenj si Florian Wirtz, Jeremie Frimpong, Hugo Ekitiké dhe Milos Kerkez, pa hasur pengesa nga Fair Play Financiar (FFP) i UEFA-s.

Por si është e mundur që një klub të shpenzojë kaq shumë pa shkelur rregullat?

Sekreti qëndron në strategjinë afatgjatë të menaxhimit financiar.

Sipas raportimeve të mediave holandeze, FFP nuk vlerëson vetëm një sezon, por e analizon financën e klubeve në një cikël shumëvjeçar.

Liverpooli, në sezonin e kaluar, pati një merkato të qetë duke transferuar vetëm Mamardashvili-n dhe Federico Chiesa-n, ndërsa realizoi disa shitje që sollën rreth 50 milionë euro, duke e mbyllur verën me bilanc pozitiv.

Krahasuar me klube si Chelsea, që përdor kontrata afatgjata për të shpërndarë kostot, apo Barcelona, që ka shitur pjesë të të drejtave komerciale për të krijuar hapësirë financiare, Liverpooli ka ndjekur një rrugë më të qëndrueshme.

Marrëveshjet komerciale si partneriteti me Adidas (që sjell 70 milionë euro në vit), të ardhurat nga Champions League, fitorja e kampionatit dhe turneu ndërkombëtar në Hong Kong i kanë garantuar klubit një mbështetje financiare të fuqishme.

Një tjetër objektiv i madh është Alexander Isak i Newcastle, për të cilin pritet të bëhet një ofertë e lartë, pasi lojtari ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me “The Reds”.

Pavarësisht këtyre shpenzimeve, klubi nuk synon të ruajë këtë ritëm çdo vit. Strategjia është të investojë fort tani për të krijuar një skuadër konkurruese në afat të gjatë dhe më pas të ulë shpenzimet në sezonet e ardhshme.

Liverpool do të nisë sezonin më 15 gusht kundër Bournemouth-it në “Anfield”, me synimin e qartë për të mbrojtur titullin dhe për të vijuar dominimin në futbollin anglez.

EMISIONET