Paralamërimi i Flick: Na pret një nga kundërshtarët më të vështirë në Europë
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pranuar se pavarësisht kohës së kufizuar për përgatitje, ai kërkon përmirësime si në paraqitjen e skuadrës në finalen e Copa del Rey, ashtu edhe në qasjen ndaj Interit në gjysmëfinalen e parë të Champions League.
Katalanasit do ta luajnë ndeshjen e parë në shtëpi, në Montjuïc, një avantazh që e kishin edhe në çerekfinale.
Flick foli me respekt të madh për kundërshtarin italian, një ndjesi që e ndau edhe Lamine Yamal, duke theksuar se Inter përbën një sfidë të ndërlikuar për ‘blaugranat’.
“Jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e parë, është hapi i parë drejt objektivit tonë. Interi është shumë i vështirë; ka një nga mbrojtjet më të mira në Europë.
Kanë një mesfushë shumë të fortë dhe dy sulmues të rrezikshëm. Por edhe tranzicioni i tyre është i frikshëm. Mbrojnë mirë, por dinë edhe të sulmojnë. Duhet të jemi gati.”
Gjermani nuk u shqetësua aspak nga ideja se skuadra mund të jetë e shpërqendruar pas entuziazmit që solli fitorja ndaj Real Madridit në finale.
“Ajo që mund të them është se të gjithë lojtarët janë të përqendruar dhe duan të arrijnë finalen. Fitorja ndaj Madridit është e rëndësishme emocionalisht dhe mund të na ndihmojë të vazhdojmë me vrull. Mendoj se mund ta arrijmë finalen. Edhe ata do të japin gjithçka.”
Shumë vëmendje u është kushtuar të rinjve të Barcelonës këtë sezon, por Flick vuri në dukje se edhe Interi ka lojtarë me përvojë që janë të motivuar maksimalisht.
“Champions League është një mundësi e madhe për Interin për të fituar titullin. Është diçka krejtësisht ndryshe dhe ndeshjet e kaluara apo humbjet e fundit nuk kanë rëndësi.
Për disa nga lojtarët e tyre, kjo mund të jetë edhe mundësia e fundit për ta fituar, ndaj do të japin 100%. Edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë.”
I pyetur nëse fakti që Interi luajti të dielën, një ditë më vonë se Barcelona, mund të ndikojë në lodhjen e tyre, Flick nuk e pa si problem.
“Nuk e di. Nuk është puna ime. Unë jam i fokusuar te skuadra ime. Kemi mentalitetin për të fituar ndeshjen e parë dhe për të dhënë maksimumin.”
Një tjetër sfidë për Barcelonën është përshtatja ndaj sistemit të Interit, që ka shkaktuar probleme për shumë nga ekipet më të mira në Europë nën drejtimin e Simone Inzaghit.
“Sot ishte një ditë e mirë për të punuar pas dy ditësh rikuperimi. Flasim për gjendjen fizike të lojtarëve, nëse mund të luajnë apo jo. Por gjithashtu duam t’i mbajmë në formë, pa rrezikuar. Sot diskutuam për atë që duhet të ndryshojmë.
Ata do të kenë pesë lojtarë në mesfushë, ne duhet të mbrojmë hapësirat. Është shumë e rëndësishme të mbajmë zotërimin e topit dhe të reduktojmë gabimet. Ata kanë automatizma në lojë, prandaj duhet të jemi shumë të përqendruar si në posedim, ashtu edhe në mbrojtje.”
Barcelona këtë sezon ka treguar se di të përballet me ekipet e mëdha dhe shpesh ka gjetur hapësira për të sulmuar.
Por Interi i Inzaghit, siç e ka treguar kundër Manchester City apo vetë Barcelonës, është një kundërshtar i fortë dhe i rrezikshëm në çdo aspekt të lojës.