Një lojtar kinez tek Interi, premtimi për tifozët dhe Morattin: Zhang “hap zemrën”

Steven Zhang shijoi titullin e dytë si presidenti i Interit.
32-vjeçari kinez ka dhënë një rrëfim interesant në Tik Tok, aty ku qetëson tifozët në lidhje me të ardhmen e “yjeve” të skuadrës së Inzaghit.
“Për momentin nuk ka asnjë futbollist kinez të përshtatshëm për Interin.
Ama nëse del një i tillë, do e sjell menjëherë.
E kam menduar shpesh këtë mundësi gjatë këtyre 8 viteve, por prioriteti mbetet formimi i një kontingjenti lojtarësh në lartësinë e detyrës.
Rinovimet? Nuk do të kemi asnjë problem në lidhje me zgjatjet e kontratave të lojtarëve aktualë.
Një gjë e tillë nuk do të ndodhë menjëherë, është pjesë e një procesi”.
Më pas një premtim në lidhje me fitimin e titullit të 20-të në histori, me Interin që qëndisi më shpejt se Milani yllin e dytë në fanellë.
“Patjetër që do të bëjmë një dokumentar për fitimin e kampionatit.
Ndoshta në formë videoje dhe regjistrimesh të ruajtur jo në një formë narrative.
Fillimisht nuk kisha ndërmend të bëhesha president, por më pas disa fjalë të Morattit më shtynë të pranoja këtë pozicion.
Gjatë studimeve nuk e imagjinoja se çfarë do të thotë të menaxhosh një klub, as nuk e dija se çfarë ishte sporti, nuk kisha parë kurrë një ndeshje futbolli…
Kulturën që ekziston këtu mund ta perceptosh vetëm nga sytë e tifozëve dhe nga stadiumet.
E ndien kulturën e kësaj toke dhe e kupton se kultura sportive amerikane është e ndryshme nga ajo europiane.
Këtu ekziston vërtet një besim i madh në zemrën e çdo personi”.
Në fund kreu i kampionëve të Italisë zbulon edhe kombëtaren e tij të preferuar: “Pas Interit bëj tifo për Argjentinën”.

