JUVENTUSI MENDON PER TË ARDHMEN/ Bardhezinjtë synojnë zgjatjen e kontratës së Spalletit
Juventusi ka zgjidhur kontratën me ish-trajnerin Igor Tudor. Kjo lëvizje i hap rrugë planit afatgjatë të bardhezinjve, që synojnë zgjatjen e kontratës me trajnerin aktual Lucjano Spalleti deri në vitin 2028.

Igor Tudor dhe drejtuesit e Juventusit, arritën një marrëveshje për ndërprerjen konsensuale të kontratës. Marrëveshja do ta lidhte trajnerin kroat me Juventusin deri më 30 qershor 2027-ës, me një pagë prej 3 milionë eurosh neto në sezon.
Por gati dy muaj e gjysmë pas shkarkimit të tij, palët kanë gjetur një zgjidhje pa tensione, që i lejon Tudorit të vlerësojë oferta të reja dhe Juventusit të kursejë shpenzime të rëndësishme, përfshirë pagat e stafit teknik.
Tudor ka drejtuar Juventusin në 24 ndeshje mes kampionatit, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Botës për Klube, me një bilanc prej 10 fitoresh, 8 barazimesh dhe 6 humbjesh. Humbja e fundit, ajo ndaj Lazios më 26 tetor, rezultoi vendimtare për shkarkimin e tij.
Ky kursim financiar i jep Juventusit më shumë hapësirë për t’u përqendruar te rinovimi i kontratës së Luciano Spallettit, aktualisht figura qendrore e projektit bardhezi.
Sipas medieve italiane, pronari i klubit John Elkann e ka telefonuar personalisht Spallettin pas fitores së fundit ndaj Sassuolos, për ta përgëzuar për suksesin në një transfertë të vështirë.
Një sinjal i fortë besimi nga drejtuesit ndaj ish trajnerit të kombëtares.
Aktualisht Juventus renditet ne vendin e katërt, me 36 pikë në kampionatin italian, duke u renditur në zonën e sigurtë për kualifikim ne Champions.
Falë punës së tij në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, Spalletti po e rikthen Juventusin në nivele të larta, pranë zonës së kreut dhe gati për të përfituar nga çdo hap fals i rivalëve në pjesën e dytë të sezonit.


