Kosova në orët vendimtare, Mehmeti: Ja shifrat e parashikuara për partitë para zgjedhjeve të së dielës

Fushata zgjedhore në Kosovë po shkon drejt fundit në një klimë jashtëzakonisht më të qetë se sa pritej, por me surpriza të mëdha në horizont për rezultatin e kutive të votimit.

Ndryshe nga parashikimet fillestare për tensione apo përplasje fizike, siç ndodhi në fillim të fushatës në Skenderaj, liderët politikë kanë zgjedhur të shmangin incidentet e mëtejshme.

Ata janë treguar më të kujdesshëm përballë një elektorati që duket se i ndëshkon qasjet e tensionuara.

Megjithatë, kjo fushatë e butë ka evidentuar një problem thelbësor: mungesën e programeve konkrete nga të gjitha subjektet.

Gazetari Faton Mehmeti, në një lidhje me studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se gjatë kësaj periudhe zgjedhore debati politik është dominuar kryesisht nga premtimet për rritje pagash dhe akuzat e ndërsjella, duke lënë plotësisht në hije strategjitë e mirëfillta zhvillimore.

Për sa i përket pjesëmarrjes, Mehmeti tha se shifrat pritet të mbeten brenda kuotave historike të vendit, duke u luhatur mes 40% dhe 43% të qytetarëve, pa përfshirë diasporën.

Votuesit nga jashtë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme, me rreth 64 mijë qytetarë të regjistruar më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Edhe pse numri i pjesëmarrësve mbetet relativisht i njëjtë, dinamikat e brendshme tregojnë lëkundje të forta të mbështetjes për partitë kryesore.

Sipas sondazheve dhe parashikimeve të fundit të bazuara në dinamikat e terrenit dhe shifrat e diasporës, panorama politike në Kosovë mund të ndryshojë ndjeshëm.

Lëvizja Vetëvendosje pritet të regjistrojë një rënie nga 52% në rreth 49%. Partia Demokratike e Kosovës pritet të ketë një rritje të lehtë prej 1% deri në 2%, duke u pozicionuar në 20-22%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës parashikohet të ketë ngritjen më të ndjeshme, nga 13% duke kaluar në shifrat 16-17%.

Por lajmi i keq vjen për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila sipas raportimit të Mehmetit mësohet se ndodhet në buzë të greminës dhe rrezikon seriozisht të mbetet jashtë parlamentit, pasi shifrat e saj llogariten në një kuotë kritike mes 4% dhe 4.8%.

PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË

EMISIONET