"Greqia është gjithçka që do", çelet sezoni turistik, mbërrijnë 40 avionët e parë në Athinë

"Greqia është gjithçka që do", çelet

Greqia çeli të premten sezonin turistik pas një viti të dominuar nga kufizimet dhe pandemia.

Ministria greke e Turizmit ka zgjedhur për 2021-in moton "Greqia është gjithçka që do".

Të huajt që do e zgjedhin Greqinë si destinacion turistik do të duhet të provojnë se nuk janë të infektuar me Covid-19, duke treguar certifikatën e vaksinimit, një test PCR jo më shumë se 72 orë të vjetër dhe itinerarin prej nga vijnë.

Testi negativ nuk do të kërkohet nëse personi ka bërë çdolloj vaksine të miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave, vaksinën ruse "Sputnik V" ose vaksinat kineze "Sinovac" dhe "Sinopharm", të paktën 14 ditë përpara.

Ditën mbërritën në Athinë 40 avionët e parë me turistë dhe 110 të tjerë priten të shtunën.

Turistët gjermanë pushtuan që të enjten plazhet greke, më së pari në Kretë.

"Këtu në Greqi duket sikur jeta po zhvillohet normalisht si para kovidit. Restorantet janë hapur, plazhet, moti është i mirë. Mundet edhe të dalim qyteteve për blerje," tha një tursit gjerman.

"Ne gjermanët nuk kemi shumë zgjedhje për të udhëtuar. Greqia është një nga vendet ku pastaj nuk na kërkohet karantina. Është bukur," tha një turist gjerman.

Federata e hotelierëve grekë parashikon që vetëm një përqindje e vogël e hoteleve vendëse do të operojnë në fazën e parë të sezonit, dhe më tepër në muajt qershor e korrik.

Pandemia e goditi rëndë ekonominë e Greqisë në 2020-ën, sektorin që kontribuon 20 për qind të të ardhurave të brendshme vjetore.

"Shpresojmë që të jetë sezon i mirë sepse dimri ishte i vështirë për ne, për punëdhënësit dhe punonjësit, sidomos në turizëm," tha një punëtore në një tavernë.

Qeveria greke ka nisur një fushatë të gjerë vaksinimi në kuadër të sezonit, gati 4 milionë persona të imunizuar kundër Covid-19.

Po punohet për shtrirjen e fushatës edhe në shumicën e plazheve ku mungon infrastruktura.

Për banorët, nuk është më e nevojshme leja me celular për të lëvizur; blerjet mund të kryhen pa prenotim; janë hapur muzetë; por vazhdojnë kufizimet në supermarkete dhe në dyqane për numrin e klientëve brenda tyre.

Greqia konfirmoi të enjten 2 mijë raste të reja me Covid; mbi 11,200 gjithsej arritën jetët e humbura

EMISIONET