Dita e shtatë e tensioneve Prishtine-Beograd, Serbia me ushtri në kufi, Kosova flet me një zë

Dita e shtatë e tensioneve Prishtine-Beograd, Serbia me ushtri në

Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit mbeten të larta, ndërsa Serbia ka ngritur edhe dy avionë në kufi me Kosovën. Situata e tensionuar ka tërhequr vëmendjen e aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar, BE dhe NATO, që njëzëri kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve. Këtë të dielë Kurti ka takuar dy liderët e opozitës, ndërsa politika në Kosovë po flet me një zë përballë asaj që po e cilësojnë “tentativë për destabilizim” nga Serbia.

Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara duke sjellë edhe situatë të tensionuar mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kosova ka dërguar njësitë speciale të forcave të rendit, ndërsa serbët kanë nxjerrë ushtrinë dhe po zhvillojnë manovra ushtarake në kufi për të treguar forcën.

Të dy liderët përkatës ndërkaq kanë mbledhur Këshillat e Sigurisë Kombëtare për situatën e krijuar. Mazhoranca dhe opozita në Kosovë po flasin me një zë pas ngjarjeve në veri të vendit.

Kurti priti në takim kreun e PDK-së Krasnqi dhe atë të LDK-së Abdixhiku.

Në Kosovë ndërkohë, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Pas këtyre dy incidenteve situata këtë të dielë raportohet të jetë e qetë.

Situata ka tërhequr vëmendjen e aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar. Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Europian, Josep Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke "tërhequr menjëherë njësitë speciale dhe duke hequr bllokadat rrugore”.

Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që çështjet e hapura t'i zgjidhin përmes dialogut në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por një takim i tillë është refuzuar nga Serbia sipas tij.

Ka reaguar gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, - tha ai.

Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, - shkroi Stoltenberg në Twitter.

Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara për të qenë në Kosovë, ndërsa në deklaratën e saj tha se Serbia është faktor destabiliteti në Ballkan.

EMISIONET