Veliaj në burg, Shabani: SPAK është në lartësinë e duhur, po përballet edhe me oligarkët e lidhur me kryebashkiakun
Përfaqësuesi i Partisë “Nisma Thurje”, Endri Shabani, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka avancuar në hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Në këtë çështje ne jemi në cilësinë e kallëzuesit, më 26 janar 2021 ne kemi shkuar në SPAK, kemi dorëzuar padinë dhe kemi kërkuar që të hetohet Erion Veliaj për pastrim të parave të grupeve kriminale dhe për korrupsion.
E parë në këtë këndvështrim më vjen mirë që SPAK ka avancuar në këtë drejtim, dhe jo vetëm, pasi ka avancuar edhe ndaj Ilir Beqajt, incineratorët që kanë përfunduar me arrestimet e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, kështu që këto janë shenja të fundit të një epoke ku zyrtarët shtetërorë i vidhnin qytetarët, i nxirrnin nga shtëpia dhe i merrnin zvarrë dhe asnjë ferrë në këmbë nuk i hynte.
Pra nuk ka më njerëz të paprekshëm. Kemi më në fund një drejtësi siç e meritojmë dhe siç e kemi dashur.
Erion Veliaj është politikani më i lartë në detyrë, pas Edi Ramës dhe bashkë me të po hetohen dhe një grup oligarkësh dhe tashmë kemi një SPAK të fuqishëm dhe në lartësinë e duhur për t’u përballur me njerëz të këtij niveli.
Ata po sulmohen në mënyrë ballore nga kryeministri Edi Rama, ndaj ne themi që kjo histori nuk mund të mbarojë me arrestimin e Erion Veliajt, por duhet të shkojë hetimi deri tek arrestimi i vetë Edi Ramës. Dhe kjo është arsyeja që Rama nuk do drejtësi dhe për këtë e sulmon.
Pasi ai ka dhënë shenja që nuk do të reflektojë e të japë dorëheqjen”, u shpreh ndër të tjera Endri Shabani.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME POLITIKANIN ENDRI SHABANI