SPAK heq dorë nga “21 janari”, Gjokutaj: Kalimi te Prokuroria e Tiranës, për të mos e shpallur kallëzim të rremë nga Manja
Prokuroria e Posaçme shpalli dje moskompetencë për dy kallëzimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit. Pas shqyrtimit të materialeve, SPAK ia kaloi kallëzimet Prokurorisë se Tiranës.
Lidhur me këtë dështim që u trumbetua me forcë nga mazhoranca ka reaguar edhe avokati Genci Gjokutaj, i cili thekson se ky vendim bëhet vetëm për të mos e shpallur në këtë moment faktin që provon kallëzimin e rremë nga ana e Ministrit kallëzues për shkaqe të pastra politike.
“Bëhet me dije se SPAK ka shpallur moskompetencën për kallëzimin e bërë nga Ulsi Manja në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë në lidhje me çështjen e 21 janarit ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit!
Sa më sipër as më pak dhe as më shumë, do të thotë që kallëzimi i mësipërm nuk ka asnjë indicie, e jo më provë për përgjegjësinë penale të të kallëzuarve!
Aktet i kanë kaluar për kompetencë hetimi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë që në fakt nuk mund t’i hetojë personat e kallëzuar edhe sikur kallëzimi të ishte i provuar!
Po përse ky udhëtim procedurial i akteve që janë nul sa i përket asaj që kërkohet në kallëzim?
Krejt e thjeshtë! Në gjendjen që jane aktet, SPAK duhej të vendoste mosfillimin e procedimit, ose pushimin e tij nëse do të kishte filluar.
Por të shpallësh moskompetencën tënde për subjektet e kallëzuar kur vetëm ti si SPAK mund të hetosh dhe t’ja dergosh t’i hetojë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë që nuk legjitimohet për këtë gjë është vetëm për të mos e shpallur në këtë moment faktin që provon kallëzimin e rremë nga ana e Ministrit kallëzues për shkaqe të pastra politike!
Kaq ishte edhe historia e audiopërgjimit “historik”!
Nganjëherë njeriu qesh me të madhe, jo për shkak të situatës komike, por se nuk qan dot!”, shprehet avokati Genc Gjokutaj në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.