Shehaj: Vendimi i Kushtetueses për Xhaçkën, i padrejtë dhe kundër interesit publik

Shehaj: Vendimi i Kushtetueses për Xhaçkën, i padrejtë dhe

Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin për Olta Xhaçkën, dhe tashmë do t’i duhet të pranojë kërkesën e opozitës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e mandatit të deputetes të Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Kjo pasi me vendimin e 18 janarit, Gjykata pranon padinë e grupit të Alibeajt duke shpallur si antikushtetues vendimin e socialistëve për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes për ministren e jashtme.

Sa i takon padisë së grupit të Berishës, gjykata e ka rrëzuar me argumentin se përpara se sa të shqyrtohet legjitimiteti i mandatit duhet të shprehet Kuvendi.

Ky vendim i trupës kushtetuese është cilësuar nga deputeti demokrat Agron Shehaj si i padrejtë dhe që shkon kundër interesit publik dhe është marrë nën presionin e Qeverisë.

“Gjykata Kushtetuese shtyu gjykimin mbi papajtueshmërinë dhe vendosi të zgjasë mandatin e deputetes Xhaçka. Ky vendim është i padrejtë, shkon kundër interesit publik dhe është marrë nën presionin e Qeverisë.

Është e qartë si drita e diellit se Xhaçka në shkelje të Kushtetutës ka përdor pushtetin për të pasuruar veten, bashkëshortin dhe kunatën.

Shqiptarët shpresonin të shihnin se kishte mbaruar koha e shtyrjeve dhe shmangieve  kur duhet të gjykohet fati i qeveritarëve.

Për çdo gjykatës, askush nuk duhet të jetë i paprekshëm, dhe vetëm atëherë në Shqipëri do të kthehet shpresa dhe besimi se asnjë nuk është mbi ligjin”, shprehet në reagimin e tij deputeti i PD-së, Agron Shehaj.

EMISIONET