Portet turistike pa garë, reagon zyra e BE në Tiranë: Shqipëria t’i përmbahet angazhimeve

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar ndaj ndryshimeve të fundit në ligjin “Për portet turistike”, duke vënë në pikëpyetje transparencën e procesit dhe përputhshmërinë me standardet e BE-së.
Në deklaratën për News 24, BE thekson se ligji i miratuar nga Kuvendi ngre shqetësime për mënyrën se si do të jepen koncesionet, duke paralajmëruar se procedurat e paqarta dhe jo konkurruese mund të dëmtojnë integritetin e procesit të prokurimit publik.
Delegacioni ka vënë në dukje se teksti i ri përfshin elementë të ngjashëm me ligjin për Investitorët Strategjikë – një ligj që Shqipëria është zotuar ta shfuqizojë në kuadër të angazhimeve të saj për integrimin evropian.
“Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”.
Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.
Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27.
Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime”, thuhet në reagimin e zyrës së BE në Tiranë.


