Panariti: Të bëhet vaksinimi rreth vatrave të infeksionit për murtajën e bagëtive të imëta
Sekretari i për Bujqësinë në Partinë e Lirisë, Edmond Panariti tha sot se është bërë rreth dy javë që murtaja e bagëtive të imëta ka prekur veriun e Shqipërisë dhe se ekziston rreziku që kjo sëmundje të përhapet edhe në zona të tjera të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediet, Panariti bëri thirrje që të bëhet një vaksinim rrethor, rreth vatrave të infeksionit dhe pastaj kjo të shtrihet gradualisht në të gjithë Veriun e Shqipërisë dhe më gjerë pastaj drejt Jugut.
“Për fat të keq, vëmë re që strategjia e çrrënjosjes dhe parandalimit të kësaj sëmundje është bazuar vetëm në identifikimin dhe ndalimin e lëvizjes së bagëtive nga zonat e prekura. Kjo nuk është e mjaftueshme, madje kjo nuk përkon as me strategjinë evropiane të kontrollit të parandalimit të sëmundjeve. Duhet patjetër, në mënyrë të menjëhershme të sigurohet vaksina për të bërë fillimisht një vaksinim rrethor, rreth vatrave të infeksionit dhe pastaj kjo të shtrihet gradualisht në gjithë Veriun e Shqipërisë dhe më gjerë pastaj drejt Jugut”, tha Panariti.
Panariti nënvizoi se “vaksina është një vaksinë shumë e sigurt, krijon një imunitet të qëndrueshëm te kafshët e vaksinuara, të cilën ata e mbartin përjetë, aq më tepër kjo vaksinë është e certifikuar dhe prodhohet sot nga më shumë se 20 qendra botërore”.
Panariti tha se “Ministria e Bujqësisë duhet t’i paraqesë një kërkesë zyrtare Organizatës Botërore për Ushqimin, e cila ka një marrëveshje me Qendrën Ndërkombëtare të Referencës, për murtajën e ripërtypësve të vegjël dhe të kërkojë vaksinën që ne na nevojitet për të vaksinuar të gjithë bagëtitë tona që janë të prekura, por dhe një pjesë të tyre që janë në rrezik prekje”.
Nga ana tjetër sipas Panaritit, duhet që të njoftohet dhe zyra e Bashkimit Europian dhe zyra Ndërkombëtare e Luftimit të Episodive në Paris.
“100 dozë vaksinë kushtojnë vetëm 3 Euro, pra me 30 mijë euro mbulohen të gjitha nevojat e blegtorisë me këtë vaksinë dhe shpëtohet kjo pasuri Kombëtare nga rreziku i asgjësimit, nga një sëmundje jashtëzakonisht e rrezikshme”, tha Panariti.
Panariti apeloi që mos të humbet kohë duke u bazuar vetëm tek tek gjurmimi dhe te kontrolli i lëvizjes, po duhet të fillojë vaksinimi rrethor, atë parandalues dhe më pas shtrihuni dhe në zona të tjera të vendit.


