Basha: Të persekutuarit politikë të diktaturës, ashti i Partisë Demokratike
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në familjen e Selman Menës, në Laprakë, familje e cila numëron 10 pjesëtarë të pushkatuar nga regjimi komunist.
Basha u shpreh në rrjetet sociale se ishte i nderuar për këtë vizitë në familjen e Selman Menës që me gjithë pushkatimet, prapë nuk u dorëzua.
“Të persekutuarit politikë të diktaturës komuniste janë ashti i Partisë Demokratike. Qëndresa dhe sakrificat e tyre në ditët më të errëta të historisë sonë, mbizotërojnë mbi harresën më të cilën herë pas here politikat e gabuara kanë lënë këtë shtresë të shoqërisë sonë”, vijoi Basha.
“Mirënjohja jonë e pakufishme ndaj çdo të përndjekuri, familjari dhe çdo pasardhësi, do të përcillet në aksionin tonë politik përmes akteve konkrete që mbyllin hendekun e madh mes fjalës dhe veprave, që për shumë gjatë kanë mbizotëruar ndaj të persekutuarve. Është përgjegjësia e Partisë Demokratike të përfaqësojë të përndjekurit, me programin dhe ekipin tonë, duke qenë instrumenti i tyre për të çuar përpara amanetin e atyre që sakrifikuan çdo gjë për demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë europiane”, u shpreh Basha.